Komisioni statutar i VMRO-DPMNE-së ka filluar punën për ndryshimin e statutit të partisë. Burime brenda opozitares bëjnë të ditur se tashmë në parti janë adresuar disa propozime për ndryshime statutare. Nga VMRO-DPMNE thonë se përmbajtja e propozimeve për ndryshime nuk do të publiket për shkak të ruajtjes së interesit brenda-partiak. Propozime kanë dorëzuar edhe iniciativa për reforma, demokratizim dhe modernizim të VMRO-DPMNE-së. Sipas Ilija Ilijovskit pjesë e kësaj iniciative, propozimet kanë të bëjnë me barazimin e peshës së votës së çdo anëtari dhe kufizimin e mandatit me qëllim që t’i jepet mundësia strukturave dhe forcave të reja.

Në parim, njëri ndër propozimet tona ka të bëj me rritjen e organit për zgjedhjen e anëtarëve të partisë duke filluar nga organizimet lokale të partisë, Komiteti i njësisë lokale, Komiteti vendor, Komitet Lokal dhe deri tek Komiteti Qendror dhe ai Ekzekutiv përfshi edhe kryetarin. Pra emërimi i tyre të bëhet me zgjedhje ose të gjendet forma që çdo anëtarë i cilit do nivel të kenë të drejtën e shprehjes në parti. Kufizimi i mandatit të trupave partiak dhe organeve partiake – deklaroi Ilija Ilijovski, Iniciativa për reforma në VMRO-DPMNE.

Derisa procesi për ndryshime statutare po vijon, VMRO-DPMNE-ja akoma bojkoton punën e Kuvendit. Grupi parlamentar i opozitares sot nuk u paraqit as në manifestimin e Kryetarit të Kuvendit për fundvit. Ditë më parë, ushtruesi i detyrës koordinator i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, Vllatko Gjorçev theksoi se bazat mbi të cilat kishte filluar ndërtimi i dialogut politik u shkatërruan që me vazhdimin e paraburgimit ndaj deputetëve, ish funksionarëve dhe anëtarë të VMRO-së si të dyshuar për zhvillimet e 27 prillit në Kuvend. Por nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi u shpreh optimist se pas festave opozita do të konsolidohet dhe do të rikthehet në Kuvend. Kthimi i opozitës, ditë më parë ishte temë bisedimi edhe mes kryetarit të ri të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski me Kryeministrit Zoran Zaev, ku ky i fundit i kishte adresuar Mickoskit nevojën që ka shumica parlamentare për votimin e ligjeve dhe mbështetjen e reformave./Alsat-M