Ardian Roçi, punonjës në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibrës i cili u plagos pasditen e sotme nga një koleg i tiji, ka ndërruar jetë në spitalin e Peshkopisë.

Roçi, me detyrë Specialist i IT, (punonjës civil në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër) është plagosur me armë zjarri nga Naim Muliu, 55 vjeç, banues në Peshkopi, punonjës policie me detyrë Ndihmës Specialist në Seksionin e Teknologjisë dhe Përgjimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër.

Duke u kthyer me mjetin e policisë nga një shërbim pune nga Maqellara për në Peshkopi, pas një konflikti verbal me Roçin, Muliua ka shkrepur armën e shërbimit.

Zyrtarisht, policia njoftoi se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, megjithatë ende nuk janë dhënë detaje lidhur me motivet që çuan në konfliktin që i mori jetën Ardian Roçit, rreth 50 vjeç.

Ka qenë vetë autori që e ka çuar në spitalin e Peshkopisë Roçin rreth orës 19:10 dhe vetë u dorëzua në polici.

Gjendja e të plagosurit u vlerësua e rëndë që në fillim dhe pasi bluzat e bardha njoftuan policinë, një helikopter i Ministrisë së Mbrojtjes u nis drejt Peshkopisë për të transportuar të lënduarin në drejt Tiranës. Por fatkeqësisht, ai ndërroi jetë në spitalin e Peshkopisë.

Në një njoftim paraprak për ngjarjen, policia bëri me dije se akuza e ngritur ndaj autorit të dyshuar është “Plagosje e rëndë me dashje”, por tashmë pritet të kthehet në vrasje.

Në drejtim të Dibrës u nis Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit së bashku me një grup specialistësh.