Diplomatë perëndimorë në Shkup janë habitur nga kostoja e lartë e tenderit për projektin për Universitetin Nënë Tereza në Shkup. Ata kanë sugjeruar që ky projekt të hetohet deri në fund me qëllim që të vërtetohet nëse ka pasur keqpërdorime ose jo.

“Dyshimet janë serioze. Është çështje e organeve kompetente në Maqedoni nëse do t’i hetojnë këto dyshime ose jo, mirëpo ajo që mund të them është se nëse një skandal i tillë do të ndodhte në vendin tim, reagimi do të ishte më i fuqishëm”, ka thënë një diplomat perëndimor.

Ekspertët thonë se në këtë projekt janë keqpërdorur përafërsisht 700 mijë euro. Ata theksojnë se UNT mundohet ta mbulojë skandalin duke thënë se kinse projekti ka sipërfaqe 95.102 m2. kjo nuk është e vërtetë, pasi që projekti ideor është 31.900 m2.

Institucionet dhe kompanitë që kanë bë projekte të ngjashme thonë se zakonisht projekti për 1 metër katror kushton 10 euro, kurse në këtë rast ka kushtuar 26 euro. /kumanovasot.press