Ish-ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, deputet i LSI-së, tha për Syri.net se Kryeministri Edi Rama ka frikë nga vetingu.

Naço u shpreh se pas vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve, ata që do të mbeten në sistemin e drejtësisë do të kalojnë në veting të gjithë klasën politike, përfshi këtu edhe kryetimonierin.

“Nuk besoj se frikë nga vetingu ka një qytetar, por frika ka kryetimonieri që bërtet më fort për vetingun, por që ka 5 vjet që firmos konçensione pa asnjë loloj transparence dhe duke shkelur ligjet”, tha Naço.

Duke iu referuar akuzave të një dite më parë të deputetëve të PS-së ndaj ish-ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, për dhënien me qira të një sipërfaqeje prej 100 ha për Klement Balili, Naço tha se akuza të tilla janë një front i ri lufte që PS po përpiqet të hapë për të larguar vëmendjen nga çështje madhore, përfshi këtu edhe zgjedhjen e kryeprokurorit, apo për të krijuar idenë se të gjithë janë njësoj.

“Ministria e Brendshme drejtohej nga PS, po kështu Haki Çako si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë është emëruar nga PS dhe ka mbështetjen e Ramës. Ato e kanë pasur të gjithë kohën e duhur që minimumi të kapnin Balilin.

Akuzat ndaj Panaritit janë një vatër e re lufte, synojnë të hapin një front të ri lufte, kur dihet se Ministria e Bujqësisë as e ka për detyrë luftën ndaj kanabisit dhe as ka përgjegjësi për të lejuar apo moslejuar kultivimin e tij”, tha Naço.

Në vijim ai shtoi se që nga Kryetimonieri dhe shumë eksponentë të PS kanë bërë fushatë me Balilin, në krah të tij, dhe mendoj se secili prej tyre duhet të mbajë përgjegjësi.

Referuar fitores së PS-së në zgjedhjet e 25 qershorit, Naço e cilësoi atë si fitoren e Pirros.

“Edhe Pirro fitoi, por fitorja e tij pati humbje të mëdha. Po të shikoni raportet e fundit,  15-20 % e votave janë blerë, në Berat ka pasur persona me armë dhe policia nuk ka reaguar, u rrethua shtabi elektoral  i LSI në Berat, postierët e natës ndanin ndihma dhe para në Berat dhe policia nuk reagonte. Të gjitha këto i kam denoncuar, janë bërë edhe kallëzime penale”, tha Naço.