Analisti politik, Naser Zyberi në një deklarat për “Deutsche ëelle” vlerëson se largimi i Aleancës për Shqiptarët nga Qeveria dhe ndryshimet brenda shumicës parlamentare erdhën si pasojë e mosrespektimit të parimeve nga tre partnerë të koalicionit.

Sipas tij partitë qeveritare nuk kanë respektuar marrëveshjen për formimin e qeverisë. Kjo u vërtetua në zgjedhjet lokale.

Dalja e Aleancës nga shumica parlamentare dhe koalicioni qeveritar nuk krijon turbulencë politike. Mund të ndodhin ngërçe gjatë marrjes së vendimeve, por megjithatë gjithçka do të funksionojë në mënyrë normale thotë Zyberi.

“Deklarata e Selës se pas votimit të Ligjit për përdorimin e gjuhëve edhe formalisht do ta lëshojë qeverinë, sigurisht që do imponojë nevojën për riformatim të shumicës parlamentare. Qeveria nuk do të vihet në pikëpyetje, ajo do të vazhdojë të funksionojë me një shumicë minimale, shpeshherë mund të ketë ngërçe në funksionimin dhe krijimin e shumicës në marrjen e vendimeve. Por si e tillë mund të vazhdojë të funksionojë, duke marrë parasysh se ka gatishmëri që të jenë pjesë e qeverisë subjekte të tjera politike, si PDSH dhe disa deputetë që po dalin nga VMRO-DPMNE”, thotë analisti politik, Naser Zyberi.