Familjet e të dënuarve të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, përmes një letre publike kanë shkruar se Dardan Molliqaj nuk përfaqëson qëndrimet e tyre.

Në këtë letër këto familje kanë shkruar se Molliqaj në emisionin “Rubikon” të KTV-së pritet të flasë për dënimin e aktivistëve të VV-së për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës dhe çfarëdo deklarate e Molliqajt do të jetë e papranueshme nga këto dy familje.

E Molliqaj, në emisionin “Rubikon”, ka reaguar ndaj dy familjeve Arifi dhe Haliti, duke thënë se “është e drejtë e tyre” që të rreshtohen politikisht, nga cilido krah që duan.

“Besoj që s’është më kurgjo e fshehtë, sepse në Vetëvendosje tashmë ekziston një problem. Unë e kuptoj këtë qëndrim, por unë nuk e përfaqësoj askënd sonte, unë përfaqësoj qëndrimin politik të Lëvizjes Vetëvendosje, qëndrim të cilin e kam përfaqësu deri sot”, ka thënë Molliqaj.

Ai tha se nuk mund të komentoj asnjë prej këtyre reagimeve derisa ish lideri i partisë, Albin Kurti të jetë në liri.

“Kur Albin Kurti të jetë në liri do të flas për këtë gjë. Detajet do t’i tregojmë në kuadër të një konteksti politik që ekziston, jo i një problemi mes meje dhe familjeve. Kërkoj mirëkuptimin e juaj dhe të gjithë qytetarëve. Të presim edhe nesër, pas ditës së nesërme do të flasim për këto”, ka thënë ai.

Molliqaj tha se pasi që Albin Kurti të jetë në liri, ai do të vijë në po të njëjtën studio dhe të jap një përgjigje për secilën prej këtyre pyetjeve. Tutje Molliqaj tha se nuk ka asnjë provë të qëndrueshme e cila dëshmon fajësinë e aktivistëve.

“E them me bindje të plotë se nuk ka prova të qëndrueshme që aktivistët tonë janë të përfshirë. Videot e lëvizjes së motoçikletës janë dërguar ne ekzaminim për të bërë përputhjen dhe e thotë tekstualisht që asnjë material nuk tregon përputhshmëri”, ka thënë ai.

Familjet e dy aktivistëve të VV-së të dënuar me burg në letrën e tyre kanë thënë se Molliqaj nuk i  përfaqëson ata.

“Duam të njoftojmë që as në këtë emision dhe në asnjë qëndrim publik të shprehur, Dardan Molliqaj nuk na përfaqëson dhe nuk mund të shtiret sikur po i mbrojnë bijtë tanë. Ai, tashmë kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga dënimi i bijve tanë nuk na ka kontaktuar fare e as vizituar.”, thuhet në letrën e familjarëve të dy aktivistëve.

“Dardan Molliqaj para se të marrë pjesë në emisione për këtë çështje, duhet të na e sqarojë mungesën e tij në seancën ku bijve tanë iu shqiptua dënimi”.