Një çift bashkëshortes, Rrok dhe Prena Tata janë gjetur të pajetë në banesën e tyre në lagjen Pavarësia të Vlorës paraditen e sotme.

Alarmi në polici u dha përmes një telefonate rreth orës 11:15.

Zyrtarisht Policia njoftoi se: Shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje ku kanë konstatuar se në banesën e shtetasit Rr.T.,  në lagjen “Pavarsia”, si pasoje e asfiksimit të rrjedhjes së gazit janë gjetur të pajetë dy bashkëshortët Rr.T. 60 vjeç dhe P.T., 56 vjeç.

Fqinjë e çiftit ngrenë dyshime se gazin mund ta ketë hapur me qëllim gruaja për shkak të problemeve që kishte në përditshmërinë e saj.

Sipas tyre, kryefamiljari ishte person i alkoolizuar dhe krijonte sherre me bashkëshorten.

“Ajo ishte ulur në divan, aty u gjet. Dirsa i shoqi ishte shtrirë në krevat”, tregojnë fqinjët.

Megjithatë, burime nga Policia e Vlorës thanë se për momentin ngjarja po hetohet si aksidentale.

Trupat e pajetë janë transportuar në morgun e Spitalit Rajonal Vlorë për tu kryer ekspertiza mjeko-ligjore dhe grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.