Në ditëlindjen e saj të dytë, Albani dhe Miriami i kushtuan Amelisë një këngë. Kishin kohë që punonin për të, për muzikën, fjalët plot ndjenjë, klipin dhe e publikuan më 28 nëntor.

Në një intervistë për revistën Who ku është shfaqur në kopertinë, Miriami na ka treguar që kishin madje dhe më shumë kohë seç mund ta imagjinojmë që punonin për këtë këngë. Më shumë sesa dy vjet! Po, po! Që para se të lindte Ameli.

Ka lindur natyrshëm, si ndjenjat. Ato u kthyen në muzikë dhe Albani e luante ndërsa Ameli ende nuk kishte lindur. Më pas kanë punuar për fjalët…

” Në fillim e kam pasur të pamundur ta këndoj këngën, sepse më mbusheshin vazhdimisht sytë me lot. Është diçka hyjnore, të cilën çdo prind e kupton. Tingujt e kësaj kënge kanë lindur kur Ameli ishte ende në barkun e mamit (buzëqesh). Albani e kompozoi dhe ia këndonte Amelisë vazhdimisht me kitarë. Ndjeja gjithmonë lëvizjet e saj dhe ishte diçka shumë magjike.Më pas vendosëm që këtyre tingujve t’i japim jetë midis fjalëve dedikuar Amelisë pasi kjo këngë vetëm ashtu mund të merrte kuptim për ne. Pra gjithçka u lidh në mënyrë perfekte dhe është më e vërtetë se gjithçka tjetër që kemi bërë deri më sot”, thotë Miriam Cani për Who.

Ju thamë që historia e kësaj kënge është dhe më e veçantë sesa e kishit imagjinuar.