Në seancën e 27-të të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë të mbajtur më 25.12.2017 u miratua Deklarata për përshpejtimin e proceseve reformuese dhe integruese për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe NATO pa asnjë votë kundër, dhe pa asnjë votë të përmbajtur.

Kjo Deklaratë ishte Propozim i Komisionit për Çështje Evropiane e nënshkruar nga ana e të gjithë partive politike të përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë në frymën e konsensusit.

Deklaratë buron nga obligimet e ndërmarrë në kuadër të prioriteteve urgjente të reformës nga viti 2015, përfshirë edhe Rekomandimet e grupit të ekspertëve të lartë për çështjet sistematike të Sundimit të së drejtës të z. Pribe, si dhe nga obligimet e Marrëveshjes së Përzhinos.

 

 

 

DEKLARATË

PËR PERSHPEJTIMIN E PROCESEVE REFORMUESE DHE INTEGRUESE PËR ANËTARESIMIN E REPUBLIKES SË MAQEDONISË NË BASHKIMIN EVROPIAN DHE NATO

 

Duke u nisur nga përcaktimi strategjik i Republikës së Maqedonisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO, i vërtetuar nga momenti i pavarësisë së saj në vitin 1991,

Duke i pasur parasysh:

  • Konkluzionet e Kryesisë nga mbledhja e Këshillit Evropian në Selanik më 19 dhe 20 qershor 2003 në lidhje me perspektivat e vendeve të Ballkanit Perëndimor për përfshirje në BE,
  • Marrëveshjen për stabilizim dhe asocim ndërmjet Bashkësive Evropiane dhe vendeve të tyre anëtare, nga njëra anë, dhe Republikës së Maqedonisë, nga ana tjetër,
  • Vendimin e Këshillit Evropian nga 16 dhjetori 2005 që t’i ndahet vendit status i kandidatit për anëtarësim në BE,
  • Raportin e Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë për vitin 2009, kur Komisioni Evropian rekomandoi fillim të negociatave aderuese me Republikën e Maqedonisë, si dhe rekomandimet vijuese në Raportet nga viti 2010, 2011, 2012, 2013 dhe 2014, 2015 dhe 2016,
  • Prioritetet urgjente të reformave të Komisionit për Republikën e Maqedonisë nga qershori i vitit 2015, rekomandimet e grupit të ekspertëve të lartë për çështje sistemore në lidhje me sundimin e të drejtës,
  • Deklaratën për zhvillimin e marrëdhënieve të Republikës së Maqedonisë me Bashkimin Evropian të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 4 shkurt 1998, Deklaratën për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve të Republikës së Maqedonisë me Bashkimin Evropian të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 23 nëntor 2000, Deklaratën për rolin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në Dimensionin parlamentar të procesit për stabilizim dhe asocim nga 11 qershori 2003, Deklaratën për parashtrimin e kërkesës për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian të miratuar më 13 shkurt 2004, Rezolutën për prioritetet për aderim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe hapje të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian nga 27 nëntori 2017 dhe Rezolutën për prioritetet në vitin 2009 për aderim të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian të miratuar më 15 dhjetor 2008,
  • Vendimin për anëtarësimin e Republikës së Maqedonisë në Organizatën e Traktatit të Atlantikut Verior – NATO të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 23 dhjetor 1993, Deklaratën për ngritjen e nivelit të marrëdhënieve dhe bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe NATO-s të miratuar nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë më 21 maj 2004, Deklaratën për kërkesën e mbështetjes për pranim të Republikës së Maqedonisë në NATO të miratuar më 19 qershor 2007 dhe Deklaratën për riafirmim të përcaktimit për realizimin e qëllimit strategjik për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë në NATO të miratuar më 25 prill 2012.

 

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë:

  1. E vërteton unifikimin e vet mbipartiak rreth përpjekjeve të përbashkëta për sigurimin e klimës pozitive me qëllim të realizimit të përcaktimit strategjik shtetëror, anëtarësimin në Bashkimin Evropian dhe NATO, si qëllim i përbashkët i të gjithë faktorëve politikë të cilët janë pjesë e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

 

  1. E nxit Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për zbatimin konsekuent, të paprolonguar dhe urgjent të të gjitha aktiviteteve, të parapara në rekomandimet që dalin nga Raporti i Komisionit Evropian për Republikën e Maqedonisë për vitin 2016, si dhe prioritetet që dalin nga prioritetet urgjente të reformave nga viti 2015.

 

  1. E nxit Qeverinë e Republikës së Maqedonisë për harmonizimin e mëtejshëm të legjislacionit të Republikës së Maqedonisë me legjislacionin e BE-së, në pajtim me Programin nacional për miratimin e të drejtës së Bashkimit Evropian.

 

  1. Angazhohet për pushtetin e pavarur gjyqësor, transparent dhe efikas të gjyqësisë.

 

  1. E vërteton përkushtimin në luftën e pakompromis kundër korrupsionit.

 

  1. Angazhohet për administratën profesionale, të bazuar në parimin e cilësisë, profesionalizmit dhe kompetencës.

 

  1. E potencon rëndësinë e përforcimit të trupave të pavarur rregullatorë dhe shpreh gatishmëri për përforcimin e rolit të vet në këtë drejtim.
  2. Angazhohet për zbatimin e reformave në sistemin për zbulim dhe sistemin për ndjekjen e komunikimeve, të orientuara në funksionimin efikas dhe sigurimin e sundimit të së drejtës.

 

  1. E potencon rëndësinë e kohezionit social dhe marrëdhënieve të mira ndëretnike. Angazhohet për ndjekjen e zbatimit të plotë të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Maqedonisë.

 

  1. E vërteton përcaktimin për përparimin e marrëdhënieve me vendet fqinje, nëpërmjet dialogut të barabartë dhe konstruktiv, si kontribut esencial për stabilitetin në rajon dhe për përparimin e proceseve euroatlantike me ç’rast udhëzon për nevojën e përfshirjes së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë në këtë dialog.

 

  1. I fton vendet-anëtare dhe institucionet e BE-së të japin mbështetje të fuqishme në proceset integruese dhe reformat për aderim në BE dhe NATO.

 

  1. E fton Qeverinë që rregullisht dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse ta njoftojë dhe ta përfshijë Kuvendin në të gjitha aspektet e procesit aderues në BE dhe NATO.

 

  1. Kjo Deklaratë të dorëzohet te Kryetari i Parlamentit Evropian, Kryesuesi me Këshillin e Ministrave të Bashkimit Evropian dhe Kryetari i Këshillit Evropian, te Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, te Kryetari i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, te Kryetari i anëtarëve të Komisionit Evropian, si dhe te kryetarët e parlamenteve të vendeve-anëtare të BE-së dhe NATO-s, dhe

 

  1. Kjo Deklaratë do të shpallet në “Gazetën Zyrtare të Republikës së Maqedonisë”.

 

KUVENDI I REPUBLIKËS SË MAQEDONISË