Një përfaqësi e naftëtarëve të Ballshit zhvilluan sot një takim rreth 60 minuta me ministrat Damian Gjiknuri dhe Arben Ahmetaj për pagat e tyre të prapambetura.

Në takimin që u zhvillua në Ministrinë e Energjetikës, dy ministrat siguruan naftëtarët që pagat e tyre për muajin Nëntor do të kalojnë ditën e nesërme në orën 13:00. Por, protestuesit nuk ishin dakord as me këtë marrëveshje.

Ata thanë se presin që pagat t’i marrin sot dhe do të vazhdojnë të qëndrojnë në protestë përpara godinës së Ministrisë. Sipas tyre, nuk kanë besim tek zyrtarët e Ministrisë dhe kërkojnë paratë e tyre. Rreth 200 naftëtarë u nisën ditën e djeshme në këmbë nga Fieri drejt Tiranës për të protestuar për pagat e prapambetura dhe sigurimet në punë.