Hristian Mickovski, sekretari i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së, është kandidat i vetëm për trashëgimtar të Nikolla Gruevskit, i cili dha dorëheqje të parevokueshme nga vendi i liderit të partisë.

Për lider të ri të partisë janë parashtruar dy kandidatura, por u pranua vetëm kandidatura e Mickoskit, pasi tjetra nuk ka qenë valide.

Kandidatura e dytë nuk u pranua, pasi, siç njoftojnë nga partia, është parashtruar pa nënshkrime. Emri i kandidatit të dytë nuk kumtohet.

Kongresi për zgjedhjen e liderit të ri të VMRO-DPMNE-së duhet të mbahet sot dhe nesër në Vallandovë.

Paraprakisht, Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk pasdite e publikoi kandidaturën për kryetar të partisë.

“Kjo për mua personalisht është një nga vendimet më serioze në jetë, plotësisht duke e kuptuar peshën, nderin, por edhe përgjegjësinë që të udhëhiqet partia. Asnjëherë në jetë nuk kam ikur nga sfida, ndërsa ky, ndoshta është problemi im më i madh, dhe unë këtë e pranoj. Si njeri mund të zgjidhja të mbetem profesor në fakultetin tim, ose madje të vazhdojë të punoj dhe krijoj në sferën shkencore ku kam kaluar punë shumëvjeçare, por si qytetar i këtij vendi nuk mund të qëndroj indiferent i përditshmërisë së dhimbshme të qytetarëve të Maqedonisë, të nevojave të tyre reale”, shkruajti Mickovski në Fejsbuk.

VMRO-DPMNE-ja mbrëmë e mbajti Komitetin qendror, por tani për tani nuk ka informata se çka është vendosur.

Ndërkohë, Nikolla Poposki, i cili është përmendur si kandidat për lider të partisë, ka dhënë dorëheqje në funksionin anëtar i KZ të VMRO-DPMNE-së.