Angela Merkel dhe social-demokratët do të takohen sot në mbrëmje për të vlerësuar mundësinë e një aleance për krijimin e qeverisë së ardhshme, që do ti mundësonte Gjermanisë daljen nga ngërçi politik, rreth tre muaj pas zgjedhjeve parlamentare.

Takimi mes kancelares, kreut të konservatorëve bavarezë, Horst Seehofer dhe Martin Schulz të SPD-së (partia social-demokrate) pritet të nisë në orën 19:00 në një sallë të Parlamentit gjerman, ku partitë kërkojnë të ruajnë konfidencialitetin e bisedimeve.

Shefja e qeverisë shfaqet nën ankthin e pritjes për arritjen e një marrëveshje me SPD. Nuk e ekzagjeroj me pohimin se bota i ka kthyer sytë nga ne”, deklaroi në fillim të javës Merkel, e cila u shpall fituese por e dobësuar nga zgjedhjet e 24 shtatorit.

Në kërkim të një qeverie të qëndrueshme, që të ketë shumicën absolute në Dhomën e Deputetëve, ajo e cila drejton ekonominë e parë evropiane prej 12 vitesh nuk ka më zgjidhje tjetër veçse një koaliacioni të ri me social-demokratët pas dështimit të bisedimeve me liberalët dhe ambjentalistët.

”Sa më shumë zgjatet ”statu quo”, aq më shumë shfaqet e bllokuar Gjermania në arenën evropiane dhe duke dobësuar përpjekjet e presidentit francez, Emmanuel Macron për një integrim më të madhe evropian”, shprehet Josef Janning, drejtor i institutit të hulumtimve Këshilli evropian i çështjeve të jashtme, me seli në Berlin.