Mbreti Abdallah II i Jordanisë, pritur sot nga papa Françesku, i ka dhuruar një tablo të Qytetit të Vjetër të Jeruzalemit, ku duket Kupola e Shkëmbit dhe Kisha e Varrit të Shenjtë dominuar nga kryqi.

“Miku im i shtrenjtë dhe vëlla”, deklaroi mbreti duke përshëndetur papën në fillim të takimit të tyre në një klimë miqësore”, theksuan gazetarët e pranishëm.

Papa e ka vizituar Jordaninë në maj të vitit 2014 në kuadër të një turneu në Lindjen e Mesme, që vijoi menjëherë në Jeruzale.

Në atë kohë ai bëri thirrje për akses të lirë për të gjithë besimtarët, hebrenj, myslimanë dhe të krishterë në vendet e shenjta.

Qeveria e Jordanisë, mbrojtës i vendeve të shenjta myslimane në Jeruzalem, e cilësoi shkelje të të drejtës kombëtare vendimin e fundit të presidentit amerikan, Donald Trump për të njohur Qytetin e Shenjtë si kryqytet të Izraelit.

Papa Françesku kishte kërkuar respektim të statu quo-së për Jeruzalemin, konform rezolutave të Kombeve të Bashkuara, që kërkojnë një zgjidhje të negociueshme për qytetin që izraelitët dhe palestinezët e pretendojnë si kryeqytet.

Vatikani përmendi sot në një komunikatë bisedat miqësore mes papës dhe mbretit, përqendruar në temat për promovimin e paqes dhe stabilitetit në Lindjen e Mesme duke iu referuar veçanërisht Jeruzalemit dhe rolit të sovranit si mbrojtës i vendeve të shenjta.

“Në këtë kontekst, ata përsëritën angazhimin e tyre për të inkurajuar negociatat mes palëve të interesuara dhe për të promovuar dialogun ndërfetar”, sipas komunikatës.