Në një studim të publikuar të premten nga Instituti i Nürnbergut për Hulumtim të Tregut të Punës dhe të Profesioneve (IAB) janë prezantuar rezultatet e rregullores që Qeveria Federale e Gjermanisë pati futur në fuqi në tetor të vitit 2016 për sigurimin e vizave të punës për shtetasit e vendeve të Ballkanit, shkruan focus.de.

Bëhet fjalë për një “Eksperiment të hapjes së kufizuar të tregut të punës“, vlerësojnë autorët e studimit.

Rregullimi i ri kërkon që aplikuesi të dëshmojë se ka gjetur një vend pune me pagesë normale në një ndërmarrje gjermane, transmeton albinfo.ch. Pastaj, nëse agjencia lokale e punës vlerëson se në atë lokalitet nuk gjenden lehtë të papunë vendorë që do të zinin vendin e lirë të punës në profesionin e caktuar, ajo ua lëshon lejen e punës ballkanasave që kanë aplikuar. Dhe, kjo leje pune është parakusht për të fituar një vizë gjermane të udhëtimit.

Sipas studimit në fjalë, nga nëntori i vitit 2015 deri në shtatorin e vitit 2017 në Agjencinë Federale të Punës kanë arritur 128 mijë kërkesa pune. Prej tyre, agjencia në fjalë u ka dhënë dritën e gjelbër gjithsej 101 mijë kërkesave.

Siç ka konstatuar studimi në fjalë, numrin më të madh të atyre që kanë marrë një leje të tillë pune e përbëjnë shtetasit e Kosovës.

Vetëm nga janari deri në fund të nëntorit të vitit 2017 janë 31.300 kosovarë që kanë marrë “dritën jeshile“ për të punuar në Gjermani, që i bie se ata përbëjnë afër 30 % të numrit të përgjithshëm të të gjithë ballkanasve që kanë pasur këtë fat.

Njëherësh në studim nënvizohet se ky numër i kosovarëve te pajisur me leje pune gjermane është për 90 për qind më i lartë se ai i një viti më parë.
Në vendin e dytë, me 22.200 leje pune vijnë shtetasit e Bosnjë e Hercegovinës (43.8) më shumë se një vit më parë ndërsa në të tretin janë shtetasit e Serbisë me 15100 leje të tilla ose 46.4% më shumë se në vitin 2016.

Por marrja e lejes ose e dritës së gjelbër nga Agjencia e Punës ende nuk do të thotë se mund të fillosh automatikisht nga puna, transmeton albinfo.ch. Kjo për faktin se, siç ka konstatuar studimi, në radhë vjen pengesa, e quajtur: viza.

Përfaqësitë konsullore të Gjermanisë në vendet e Ballkanit Perëndimor janë të stërngarkuara me kërkesat për viza që bëjnë shtetasit e vendeve në fjalë pasi kanë siguruar një vend pune në Gjermani. Prandaj përpunimi i kërkesave të tyre zgjat shpesh me muaj të tërë e madje edhe deri një vit.