Mbi 140 fshatra të banuar me maqedonas në Maqedoninë Lindore janë shuar dhe nuk kanë asnjë banorë, informon agjencia e lajmeve INA.

Shqetësimet për çdo ditë rriten për shkak se fshatrat edhe me pak banorë, tashmë janë shuar totalisht dhe një pjesë e madhe e tyre vazhdon trendin e shuarjes totale. Sipas një studimi të bërë nga mediat lokale maqedonase në pjesën lindore të vendit drejt shuarjes janë edhe mbi 455 fshatra të tjerë, kryesisht të banuar me maqedonas, turq, por edhe një pakicë shqiptare.

Banorët e fshatrave kryesisht i`a mësyejnë qyteteve, duke u përqëndruar kryesisht në Manastir dhe Shkup. Por pjesë më e madhe ikën drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe kontinentet tjera.

Situata më alarmante është në rajonin e qytetit të Vinicës, ku shumica e të rinjve së bashku me familjet e tyre po braktisin vendin. Në qytetin e Shtipit gjithashtu ka migrim të madh të fshatarëve drejt qytetit, me ç`rast nga rreth 60 mijë banorë në tërë rajonin, mbi 50 mijë prej tyre tashmë janë të vendosur në qytet.

Banorët e këtyre zonave të Maqedonisë Lindore janë të pajisur me pasaporta bullgare dhe se ato shpëtimin po e shohin drejt vendeve të BE-së.  Nga komunat qendrore të kësaj zone regjistrohen fshatra edhe me dy deri në tetë banorë, kryesisht pleq të moshuar , të mbetur pranë vatrave të tyre dhe që mezi mbijetojnë jetën.

Nga ana tjetër sipas statistikave të Entit Shtetëror të Statistikave, në rajonin e Pollogut, ku është dominuese popullësia shqiptare, mbi 28 për qind e banorëve jetojnë në qytet, ndërsa mbi 70 për qind janë të koncentruar nëpër fshatra.

Anashkalimi i këtyre zonave rurale, varfëria, mungesa e infrastrukturës dhe kushteve jetësore, papunësia dhe varfëria janë shkaqet që popullata i`a mësyen qyteteve apo ikën jashtë vendit.