Mërgim Mavraj është duke i kaluar pushimet në Mekë, ndërsa nga atje ka folur për sezonin me Hamburgun.

Ai shtoi se klubi duhet ta sigurojë mbijetesën, pasi shumë njerëz e duan klubin dhe e ndjejnë.

“Fillimi i eksperiencës time te Hamburgu ishte mjaft i veçantë. Jemi rritur si ekip dhe kemi bërë gjëra të mira. Asnjëherë tjetër në karrierën si profesionist nuk kam ndjerë kaq shumë besim nga trajneri dhe klubi ndaj meje”.

“E nisëm mjaft mirë sezonin, por më tej nisi rënia. Unë kisha probleme shëndetësore me brinjët, ndërsa edhe ekipi pati probleme me të cilat lidhet ecuria me tetë ndeshje pa fitore. Pavarësisht kësaj, vendimi për t’iu bashkuar Hamburgut është ai i duhuri, në aspektin personal ashtu edhe në atë sportiv. Jam krenar që jam pjesë e këtij klubi ku kanë luajtur shumë emra të mëdhenj”.

Mbrojtësi 31-vjeçar i Kombëtares shqiptare foli edhe për mbijetesën në Bundesligë, duke e cilësuar një përgjegjësi ndaj tifozëve realizimin e këtij objektivi.

“Mbijetesa nuk është çështje për jetë a vdekje, por është e rëndësishme sepse njerëzit e ndjejnë shumë dhe kemi përgjegjësi ndaj tyre. Më jep shpresë mënyra se si luajmë. Pavarësisht se rezultatet nuk kanë qenë të mira, e kemi ruajtur qëndrimin tonë dhe kemi qenë një skuadër e bashkuar edhe në situatat më të pashpresa”.