Ligji i ri për Arsimin e lartë është përgatitur dhe i njëjti deri në fund të këtij muaji do të vendoset në shqyrtim publik. I njëjti parasheh që akreditimi dhe evaluimi i kualitetit të arsimit të lartë të ndahen në dy organe të veçanta njëra që do të sigurojë kontroll në atë çfarë quhet program i akredituar dhe tjetra që do të punojë në mënyrë të veçante mbi evaluimin e Universiteteve. Me ligjin e ri po ashtu parashihet që të rregullohet modeli i financimit të Universiteteve.

Ne si ministri me të vërtetë jemi të kënaqur pasi morrëm shumë propozime nga institucione të ndryshme, gati të gjitha Universitetet dërguan propozimet e tyre, studentët poashtu, plenumi i profesorëve. Unë tash paralajmëroj se teksti i cili do të vendoset në debat publik do të përmbaj dy organe të cilat do të kontrollohen dhe do të plotësohen në organe të posaçme, për akreditim dhe evaluim të kualitetit të arsimit të lartë – deklaroi Renata Deskovska, ministre e Arsimit.

Akademiku Vllado Kambovski, tha se deri tani Universitetet më shumë kanë funksionuar në interes të disa kritereve politike se sa në interes të studentëve dhe shkencës. Sipas tij hapja e universiteteve të reja më shumë është bërë për biznes dhe politikë se sa për shkencë.

Numër i madh i institucioneve tona të arsimit të lartë nuk i plotësojnë as kushte më themelore ligjore për zbatimin e shkollimit të lartë. Sipas meje duhet të vihet deri në një shqyrtim rigoroz të rrjetit të shkollimit të lartë. Ne kemi 25 Universitete, mbi 130 Fakultete dhe rreth 1500 programe studimore. Nëse më pyesni mua unë që nesër i kisha mbyll shumicën e Universiteteve megjithatë nuk është kompetencë e jona, kjo është punë e Ministrisë së arsimit dhe inspektorateve dhe ne mund vetëm të sugjerojmë për hapa të tillë – tha Vlado Kambovski, kreu i  këshillit për akreditim dhe evaluim.

Që ka probleme në arsimin e lartë, e pranon edhe Aziz Pollozhani, Rektori i Universitetit të ri Nënë Tereza, studentët e të cilit tash dy vjet ligjëratat i ndjekin në objektin e Shkollës Fillore “Kongresi i Manastirit” dhe në objektin e Lidhjes së Sindikatave

Shihet qartë se kemi probleme me arsimin, kemi problem me arsimin e lartë dhe duhet diçka të ndërmerret. Probleme ekzistojnë gjithandej, më e rëndësishme është vullneti politik i trupit i cili vendos që të realizojnë ide se si të kemi arsim më kualitativ. Instrumenti më i fuqishëm është ligji për arsimin e lartë – theksoi Aziz Pollozhani, Rektor i Universitetit Nënë Tereza.

Pas shqyrtimit publik, Ligji i ri për Arsimin e lartë duhet të kalojë në seancë Qeveritare për shqyrtim që më pas të mund të hyjë në procedurë parlamentare./alsat-m