Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg” për 28-vjeçarin Selman Alia. Ai akuzohet se qëlloi për vdekje babanë e tij dhe më pas e hodhi trupin e tij në liqenin e Farkës.

Seancën e sotme, organi i akuzës lexoi dëshminë që 28-vjeçari ka dhënë para grupit hetimor.

“E godita tre herë më çekiç dhe e mbështolla me një tapet. E çova në Farkë dhe aty kuptova që ishte ende gjallë. Aty e godita edhe një herë. Më pas i hoqa rrobat dhe trupin ia hodha në ujë, ndërsa rrobat i hodha në një kosh. Më vonë mora makinën e vëllait dhe shkova në Kukës. Babai më tha që nusen do ta ndajmë bashkë”, është shprehur Selman Alia.

Ndërkohë, pas krimit, Aliaj kishte shkuar në shtëpi dhe ishte ndërruar dhe më pas ishte nisur për rrugë. Ai kishte ndalur makinën tek Rruga e Elbasanit ku kishte konsumuar 3 sufllaqe dhe më pas ishte nisur drejt Kukësit. Ndonëse tentoi të arratisej, Selman Aliaj u ndalua nga policia. Tashmë ai do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të parë nëse ka apo jo probleme të shëndetit mendor.