Franca u bëri thirrje sot fuqive rajonale që ta mbajnë Libanin jashtë rivalitetit të tyre, që kryeministri Saad Hariri të mund të arrijë ta zhvillojë vendin.

“Që Libani të jetë i mbrojtur, është thelbësore që të gjitha partitë libaneze dhe aktorët rajonalë të respektojnë parimin kryesor të mos ndërhyrjes”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron në hapje të një mbledhje ndërkombëtare në mbështetje të Libanit në Paris.

Ky mesazh i drejtohej lëvizjes së fuqishme shiite libaneze, Hezbollahut, i mbështetur nga Irani dhe i konsideruar si një prej krahëve të tij të armatosur në rajon, kryesisht në Sirinë fqinje.

Ai prekte gjithashtu Iranin dhe Arabinë Saudite, dy vende të angazhuara në një përballje të ashpër rajonale dhe që mbështesin kampe të kundërta në Liban.

Nga ana tjetër sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson i ka kërkuar gjithashtu Arabisë Saudite, aleati kryesor i SHBA-ve në rajon, që të jetë më e përmbajtur përballë Katarit, kundër të cilit Riadi ka dekretuar një embargo. Kjo kërkesë është bërë edhe ndaj Jemenit dhe Libanit.

“Ne i inkurajojmë të jenë pak më të matur, të reflektojnë më shumë dhe t’i konsiderojnë plotësisht pasojat e veprimeve të tyre”, theksoi shefi amerikan i diplomacisë.