Presidenti i Francës Emmanuel Macron tha se është shqetësuese mundësia e njohjes së njëanshme të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga SHBA-të, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë nga Pallati Presidencial Elysee thuhet se presidenti Macron ka zhvilluar bisedë telefonike me presidentin e SHBA-ve Donald Trump.

“Presidenti i Francës ka shprehur shqetësimin për mundësinë e njohjes së njëanshme të Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit nga SHBA-ja”, thuhet në deklaratë.

Më tej në deklaratë thuhet se vendimi për statusin e Jerusalemit duhet të diskutohet në takimet e paqes të cilat do të zhvillohen mes palës palestineze dhe asaj izraelite.

Dy liderët kanë marrë vendim që kjo çështje të diskutohet përsëri në ditët në vijim.

Presidenti i SHBA-ve Trump, në periudhën e fushatës parazgjedhore premtoi se do të njohë Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe se do të zhvendos ambasadën amerikane në këtë qytet.