Varësia tek opioidet është kthyer në krizë në Amerikë. Mbidozat me opioide shkaktuan afërsisht 64,000 vdekje vitin e kaluar në Shtetet e Bashkuara, duke e bërë atë shkaktarin kryesor të vdekjeve për amerikanët nën moshën 50 vjeç. Ndërsa gjithnjë e më shumë amerikanë krijojnë varësi ndaj opioideve, politikanët po kërkojnë mënyra për të zgjidhur këtë epidemi në rritje. Një ligjvënës i Virxhinias po e bën atë çështjen qendrore të programit të tij, sepse për të, kjo betejë është diçka personale.

Ligjvënësi i Virxhinias, John Bell punon shumë për njerëzit në qarkun e tij, për çështje si të drejtat e grave dhe kujdesi shëndetësor i përballueshëm.

Por kohët e fundit, vëmendja e tij është përqëndruar tek kriza e varësisë nga opioidet….që kur zbuloi se vetë djali i tij, ishte i varur prej tyre.

“Bëri një aksident me makinë shtatë vjet më parë dhe dëmtoi qafën”, thotë John Bell.

“Nuk më bënë radiografi… asgjë. Mjekët më panë qafën për një çast dhe më dhanë Vikodinë”, thotë djali i tij Josh.

“Kur doli nga salla e urgjencës, i kishin dhënë një recetë për të marrë opioide për 90 ditë”, thotë ligjvënësi.

“E mbaj mend kur shkova në shtëpi atë natë dhe e mora ilaçin… ishte si të provoje dashurinë për herë të parë.”

“Kur mbaroi ilaçet që kishte marrë me recetën e parë kishte krijuar varësi”, thotë John Bell.

Varësia e Joshit nga opioidet u kthye shumë shpejt në varësinë nga heroina.

“Ishte shumë e fuqishme. Më jepte të njëjtën ndjesi si në fillimet e varësisë nga opioidet. Më pas situata u përkeqësua.”

Me varësinë e tij jashtë kontrollit, Josh kërkoi ndihmë në klinikat për menaxhimin e dhimbjeve. Por ato nuk e ndihmuan.

“Mjekët kalonin shumë pak kohë me ne si pacientë. Asnjëherë nuk flisnim për shërim, asnjëherë për terapi. Na thoshin thjesht ‘ky është mjekimi që po ju japim.’ Nuk kishte paralajmërime, nuk më thanë asnjëherë se këto ilaçe mund të çonin në një varësi tek opioidet dhe më tej”, thotë Josh.

Joshi jeton në Teksas dhe familja e tij nuk ishte në dijeni të vështirësive që po kalonte.

“Kur analizoj të shkuarën e shoh se nuk e kuptonim mirë varësinë e drogave, nuk i njihnim shenjat që të kuptonim se ai ishte i varur gjatë asaj periudhe.”

“Kur babai e mësoi të vërtetën, ai erdhi qysh atë ditë në Teksas. Rruga ime drejt mëkëmbjes filloi atë ditë”, thotë Josh.

“Kur e takova dhe më shpjegoi se çfarë kishte kaluar, e para gjë që i thashë ishte se e doja shumë dhe se do ta mbështesja.”

Mbështetja e familjes është shumë e rëndësishme në rrugën e shërimit.

“Varësia nga drogat apo çdo lloj varësie, shpesh quhet si sëmundje në familje. Mendoj se ky përcaktim është i saktë pasi nuk është vetëm personi i prekur që vuan, por është gjithë familja.”

Zoti Bell thotë se të flasësh hapur për këtë problem është shumë e rëndësishme.

“Shpesh njerëzit e shohin varësinë si diçka negative që prek vetëm një pjesë të shoqërisë; por e vërteta është se varësia nga opioidët sot prek çdo grup etnik, çdo shtresë, çdo qytet, të madh e të vogël, çdo pjesë të Amerikës.”

Si ligjvënës, Bell e ka përdorur përvojën dhe pozitën e tij për të sjellë ndryshim.

“Vendosëm një kufi mbi sasinë maksimale të opioideve që mund të jepen me recetë në sallat e urgjencës.”

Ata gjithashtu financuan ilaçin e njohur si ‘Narcan,’ që nëse jepet pa vonesë, anulon efektin e një mbidoze opioidesh.

“Akorduam 2.4 milionë dollarë për të financuar këtë ilaç në mënyrë që ekipet e ndërhyrjes së shpejtë të kenë mundësinë të shpëtojnë jetë njerëzish,” thotë ligjvënësi John Bell.

Bell së fundmi u rizgjodh në qarkun e tij, ku ka në plan të vazhdojë punën kundër krizës së opioideve.

“Nuk jam ndryshe nga të tjerët. Jam thjesht një njeri që ka një fëmijë që vuan nga varësia e drogës. Ka shumë njerëz si unë. Sa më shumë ta ndash historinë tënde me të tjerët, aq më shumë e nxjerr këtë problem në pah dhe në vendet ku mund të sjellim ndryshim dhe të ndihmojmë ata që vuajnë”, thotë zoti Bell.

Josh ka nëntë muaj që është shëruar dhe do që ta përdorë përvojën e tij për të ndihmuar të tjerët.

“Gjithçka duam të bëjmë kur shërohemi është të ndihmojmë të tjerët të shërohen. E di sa e vështirë është, dhe sa mirë ndjehesh kur nuk jeton më me gënjeshtra.”/voa