Qytetarët meritojnë të jetojnë në shtet të lirë, ndërsa institucionet e kanë detyrim ta sigurojnë këtë, tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, në konferencën “Shteti i kapur – interesat politike, sociale dhe ekonomike“, që u mbajt pikërisht në Ditën Ndërkombëtare për Luftë kundër Korrupsionit.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i sektorit civil, Albert Musliu, konsideron se krahas vullnetit politik dhe rregullativës ligjore, duhet ndryshuar edhe mentaliteti i qytetarëve për këtë lidhur me dukuritë negative.

“Kemi vullnet politik që t’i ndryshojmë praktikat e vjetra të këqija, por kjo nuk mjafton, nevojiten hapa konkretë dhe këtë po e bëjmë. Qëllimi ynë është ta dëgjojmë sektorin civil, i cili do të jetë partner në ndryshime dhe korrektues i ynë. Qytetarët kanë të drejtë të jetojnë në një shtet të lirë, ndërsa institucionet kanë detyrim tua sigurojnë atë”,- tha ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski.

MUSLIU: TË NDRYSHOJË MENTALITETI PËR KORRUPSIONIN

“Fatkeqësisht, me gjithë atë partizim, me gjithë atë kapje të institucioneve që është zhvilluar edhe mentaliteti i korrupsionit dhe kjo është pjesa më e rëndë për t’u luftuar. Ne mund t’i sjellim edhe ligjet edhe të kemi vullnetin e mirë politik të subjekteve politike, por nëse nuk ndryshon mentaliteti, gjithsesi se do të paraqiten elemente të cilat ato mundësi institucionale edhe do të keqpërdoren”,- theksoi përfaqësuesi i sektorit civil, Albert Musliu.

GONZALEZ: JAPIM MBËSHTETJE PËR SHËRBIME CILËSORE

Edhe faktori ndërkombëtar inkurajon institucionet dhe sektorin civil për të luftuar këtë dukuri.

“USAID-i së bashku me Platformën për luftë kundër korrupsionit, angazhohet që t’u jepen shërbime më të mira qytetarëve. Ne tanimë si USAID-i, 25 vite bashkëpunojmë me të gjithë sektorët përkatës, qeverinë, organizatat joqeveritare dhe me sektorin privat, dhe angazhohemi për zvogëlimin e këtyre dukurive”,- u shpreh Eduard Gonzalez nga USAID.

HOLUB: PRESIM REZULTATE KUNDËR KORRUPSIONIT

“Ne presim që vendi kandidat të zhvillojë traditë kredibile lidhur me prevenimin e korrupsionit. Një traditë e tillë do të dëshmonte se po zbatohen politika proaktive kundër korrupsionit dhe se realizohen rezultate në favor të të gjithë qytetarëve”,- theksoi përfaqësuesi i delegacionit të BE-së, Lukash Holub.

Konferenca “Shteti i kapur – interesat politike, sociale dhe ekonomike”, u organizua nga Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit. Projekti ka për qëllim që të rritet ndikimi i organizatave qytetare të lidhura me luftën kundër korrupsionit në Maqedoni. /TVM2/