Shiko kush luan” është programi i ri i Luana Vjollcës këtë sezon televiziv në “Top Channel”.

Në superformë, ajo paralelisht po punon edhe për vazhdimin e karrierës në muzikë, nën menaxhimin e të dashurit nga Kosova, Krenar Çoçaj.

E duket se një vit pasi fotografët i kapën për herë të parë çift duke drekuar në një restorant në Tiranë, ata kanë ecur shumë në marrëdhënien e tyre. Jo vetëm që janë prezantuar me familjet e njëri-tjetrit, përkatësisht si nusja dhe dhëndri, por tashmë po bëjnë plane për martesë.

Burime pranë çiftit kanë treguar se pas dasmës VIP të Marina Vjollcës me reperin Getoar Selimi, miqtë e tyre po përgatiten të festojnë në dasmën e Luanës me Krenarin. Mesa duket distanca fizike (duke qenë se Krenari jeton në Prishtinë) po detyron çiftin që të hedhin hapin drejt altarit pak më shpejt sesa mund të mendohej. Edhe pse ende nuk dihet një datë e saktë, parashikohet që vera e vitit 2018 të jetë periudha kur ata kanë programuar t’i japin fund beqarisë.

Gjithsesi, asgjë nuk dihet me siguri, duke pasur parasysh çiftin Geti-Marina, që e shtynë disa herë planin e dasmës, për arsyen e vetme që të realizonin një festë sa më të mirëorganizuar dhe ideale në çdo detaj. Ndërkohë që Krenari është bërë krahu i djathtë i Luanës, ende pa qenë zyrtarisht burri i saj. Njësoj siç bënte baxhanaku i tij i ardhshëm, Getoari me Marinën, edhe Krenari e prezanton Luanën “gruaja” në rrethet miqësore. E dashura tashmë e deklaruar e menaxherit të artistëve nga Kosova, Krenar Çoçaj, flitet se bën jetën të lumtur pranë djalit që njihet jo vetëm si menaxher i zoti, por edhe si i pasur.

Edhe pse ata vetë nuk kanë postuar asnjë foto çift, nuk i kanë shpëtuar dot syrit të paparacit, që i ka fotografuar fillimisht ndërsa dilnin nga një drekë romantike në Tiranë, e më pas duke shëtitur në Amsterdam. Më pas nuk kanë munguar videot e çiftit mes miqsh apo në darkat familjare. Për herë të parë dyshimet se Luana kishte nisur romancë të re dashurie me ish-mikun e ngushtë të reperit Getoar Selimi, u hodhën më 10 korrik të vitit që lamë pas, kur ajo dhe Krenari festuan 28-vjetorin e tij në Santorini. Më pas lidhja e tyre ka vazhduar intensivisht, edhe pse në distancë, pasi ajo jeton në Tiranë dhe ai në Prishtinë.

Gjithsesi ata e kanë zgjidhur të jenë afër, pasi udhëtojnë shpesh në vendet më të bukura të botës duke e shijuar në maksimum lidhjen e tyre. Nga ana tjetër, duket se dy shokët e ngushtë, Getoari dhe Krenari, tashmë kanë harruar inatet duke u ndjerë si një familje. Këtë fakt e vërtetojnë batutat që ata kanë shkëmbyer së fundi në rrjetet sociale, ku duket se janë shumë të afërt.

SHKRIHEN AKUJT MES GETOARIT DHE KRENARIT, SI I PAJTUAN GJAKRAT MOTRAT VJOLLCA

Duket se tashmë janë shkrirë akujt mes Getoar Selimit dhe Krenar Çoçajt, dhe për pajtimin e gjakrave kanë kontribuar partneret e tyre, motrat Marina e Luana Vjollca. Hera e fundit që u shkrua për Getoarin dhe Krenar Çoçajn ishte lidhur me sherrin e tyre, çështje e cila përfundoi edhe në Gjykatë. Sa për ngjarjen, kujtojmë se bëhet fjalë për konfliktin kur Krenari goditi vite më parë Ledri Vulën (pasi ishte lidhur me ish-të dashurën e tij, Dafina Zeqirin).

Ledri ndodhej në makinë me Getoarin, të cilit i duhej të dëshmonte në Gjykatë për sulmin e Krenarit ndaj Ledrit, për arsye xhelozie. Por lidhja me motrat Vjollca duket se ka bërë që këtë ngjarje ta hedhin pas krahëve, e t’ia lënë së shkuarës dhe ta nisin marrëdhënien e tyre nga e para, kësaj here si baxhanakë. Raportin e përmirësuar që ata sot kanë, e kanë dëshmuar edhe në rrjetet sociale, ku kanë nisur të shkëmbejnë batuta me njëri-tjetrin, që vetëm ata i kuptojnë. “Me telefon t’ri Mustaf poo!”, i shkruan Krenari, Getit, koment të cilin reperi nuk ua ka lënë pa një përgjigje. “Ahahaha @krenarcocaj e vjetër foto Skënder!”, i shkruan Geti. Mesa kuptojmë ata e thërrasin njëri-tjetrin me pseudonime: Skënder-Krenari e Mustaf- Geti. Kjo tregon që ata tashmë e shohin njëri-tjetrin pjesë e një familjeje.