Lëvizja Socialiste për Integrim është vënë në panik nga shkarkimet në administratë. Pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama, i cili kërkoi që brenda muajit dhjetor të largohen nga puna gjithë militantët e LSI, me qindra punonjës dhe zyrtarë të kësaj në të gjitha nivelet e aparatit shtetëror po shkarkohen nga detyra. Mirëpo, ky aksion i qeverisë “Rama 2” ka nisur të trembë krerët dhe deputetët e Lëvijzes Socialsite për Integrim, teksa ajo që i shqetëson më shumë është humbja dhe braktisja e elektoratit. Po çfarë po ndodh brenda kësaj force politike? Prej disa ditësh Lëvizja Socialiste për Integrim është vënë përballë një situate tepër alarmante, pasi për shkak të shkarkimeve që qeveria u ka bërë shumë militantëve të kësaj partie nga administrata e shtetit, këta të fundit kanë nisur të braktisin LSI-në, duke iu bashkuar natyrshëm PS-së por edhe për të ruajtur vendin e punës. Dhe pikërisht për të ndalur këtë eksod, krerët dhe deputetët e LSI-së kanë mobilizuar të gjitha degët në vend, teksa mësohet se kanë nisur takime me të gjithë militantët që janë shkarkuar nga administrata. Kështu, burimet i thanë gazetës se në thuajse gjithë qytetet e vendit, deputetët e LSI kanë qenë në kontakte të drejtpërdrejta me gjithë militantët e shkarkuar, ku fokusi kryesor ka qenë t’i bindnin për të mos u larguar drejt Partisë Socialsite apo edhe drejt Partisë Demokratike. Rasti më i fundit vjen nga qyteti i Gjirokastrës, ku burimet thanë se deputetë të Lëvizjes Socialsite për Integrim kanë pasur disa takime me njerëzit e vet të shkarkuar rishtaz nga administrata, por edhe ata që rezistojnë ende, të cilëve iu kanë kërkua që të behën të durueshëm, sepse pritet të ketë zgjedhje të parakohshme në muajin mars.

Burimet i thanë gazetës së këto lëvizje të Lëvizjes Socialiste për Integrim në qytetin e Gjirokastrës, por edhe në qytetet të tjera, janë thjesht një përpjekje për të mbajtur të bashkuar militantët e kësaj partie, aq më tepër kur është fjala për LSI-në, elektorati i së cilës nuk është aq solid sa i dy partive të mëdha, PD-së e PS-së. Mirëpo, burimet i thanë gazetës se gjatë takimeve që LSI ka organizuar me militantët e saj, sidomos në qarkun Gjirokastër, mësohet se ka pasur edhe debate. Por përtej kësaj, mësohet se ajo që i ka habitur të gjithë, madje edhe njerëzit më besnik të Lëvizjes Socialsite për Integrim gjatë këtyre takimeve, ka qenë heshtja e deputetëve dhe krerëve më të lartë të LSI-së, sa i takon përmbytjet në Gjirokastër. Ndërkohë sa i takon kësaj situate, LSI pak ditë më parë ka organizuar një takim me gjithë krerët e kësaj partie në rrethe. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë me militant e kësaj partie.

LSI “karikon” elektoratin

Shkarkimet e militantëve të LSI-së nga administrata shtetërore, jo vetëm që është kthyer në stres për këtë parti, por ka çoroditur gjithë elektoratin e saj. Të ndodhur përpara kësaj situate, LSI ka nisur të mbajë të karikuar elektoratin e saj duke e inkurajuar dhe i ardhur në ndihmë sa i takon mbështetjes gjatë përballjes së tyre në gjykata. Ndërkohë LSI u ka kërkuar militantëve të saj që në rast largimi nga puna, duhet t’i drejtohen gjykatave për ankimuar vendimin, madje u është bërë e ditur se për këtë arsye do t’u vihet në dispozicion një armatë e gjerë avokatësh dhe juristësh në mbrojtje të të drejtave të tyre, sa i takon fitimit të gjyqit. /Sot News/