Forcat amerikane, koreano-jugore dhe japoneze nisën sot manovra të përbashkëta për gjurmimin e raketave koreano-veriore, ndërsa Pheniani po përgatitet për lëshimin e një rakete balistike ndërkontinentale me rreze të paprecedentë veprimi, sipas ushtrisë koreano-jugore.

Koreja e Veriut testoi më 29 nëntor një ICBM e aftë për të transportuar një ‘’predhë të rëndë mjaft të madhe” në cilindo shtet në SHBA.

”Manovrat, të gjashtat për nga lloji prej qershorit 2016 dhe që parashikohen të zgjasin dy ditë, po zhvillohen në brigjet e Gadishullit Korean dhe Japonisë”, sipas Ministrisë koreano-jugore të Mbrojtjes.

“Gjatë manovrës, sisteme luftarake AEGIS të çdo shteti do të simulojnë detektimin dhe ndjekjen e raketave të mundshme balistike koreano-veriore dhe shpërndarjen e informacioneve”, shtoi ai në një deklaratë.

Dy anije amerikane marrin pjesë në stërvitje, si dhe një koreano-jugore dhe një japoneze.

Dy shtetet aziatike, ku marrëdhëniet dypalëshe janë cënuar nga mosmarrëveshje historike dhe territoriale janë të lidhura me SHBA me anë të pakteve të sigurisë.