Deputeti Oerd Bylykbashi tha se aktet antikushtetuese të Kuvendit për zgjedhjen e një Kryeprokurori politik janë akte të Edi Ramës për të fituar imunitet nga ndjekja penale.

‎‎Oerd Bylykbashi tha në një reagim në Facebook se mbledhja e 28 firmave për të propozuar kandidatët është një sharlatanizëm, njësoj si procedura e ndjekur deri tani, sipas të cilës kryeministri mund ta emërojë Prokurorin e Përgjithshëm edhe me 36 vota.

“Me dhënien e firmës, deputetet e Kryeministrit do të seleksionojnë edhe emrin që i pëelqen Ramës. Jo me thjesht kapje politike, por ky është një puc kushtetues i frikshem”, tha deputeti demokrat.

Oerd Bylykbashi sqaroi kompetencat e Prokurorit të Përgjithshëm të Përkohshëm, që do të emërojë Edi Rama:

•    Ka pushtetin e pezullimit të dosjes Habilaj/Tahiri.

•    Përgatit dosjet fillestare të vetingut për prokuroret që rrezikojnë me hetim Ramën.

Oerd Bylykbashi tha se kjo tregon qartë që pas gjithë kësaj maskarade parlamentare është halli i Ramës më shumë sesa i Tahirit.

“Ky prokuror është IMUNITETI DE FACTO nga ndjekja penale ‎që po kërkon Rama”, u shpreh Bylykbashi.

Bashkë me reagimin, Oerd Bylykbashi publikoi edhe nenet përkatëse, kur 28 deputetë bëjnë propozim. Sipas Rregullores së Kuvendit ata propozojnë “VETEM kur Kushtetuta NUK parashikon ndryshe”. Por, në fakt, siç sqaron edhe Bylykbashi sipas Kushtetutës propozimin për Prokuror të Përgjithshëm e Ben Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që Rama e mbajti të bllokuar.‎