Sindikata e pavarur e gazetarëve (SPGM) dhe Shoqata e gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), e përshëndesin faktin që me ndryshimet e fundit të Ligjit për të falimentuarit përfshihen gazetarët nga radio stacionet e mbyllura lokale të cilët e morën statusin e punëtorit të falimentuar dhe me atë të drejtën  e kompensimit mujor deri në pensionim.

“Me këtë pjesërisht u përmirësua një padrejtësi e madhe, me të cilën u përballën kolegët tanë kur brenda natës u mbyllën dhjetëra radio stacione lokale dhe publike, ndërkaq ata mbetën pa punë dhe pa rrogë”, qëndron në kumtesën e SPGM dhe SHGM.

Siç sqarojnë, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale i fuqizoi kërkesat e SPGM-së dhe SHGM-së, përfaqësuesit e të cilëve në gusht të këtij viti u takuan me ministren e resorit, Milla Carovska. Në takim, përfaqësuesit e organizatave të gazetarëve kërkuan që gazetarët e falimentuar nga radio stacionet e mbyllura lokale të përfshihen me Ligjin e ri për të falimentuarit.