Kryeministri më i ri i Evropës, Sebastian Kurz ka bërë të ditur një bashkëpunim të ngushtë me Gjermaninë. Deri tani ai ishte dalluar më tepër si kritik i kancelares Merkel.

“Me Gjermaninë ne na lidhin shumë gjëra – nga ana njerëzore, ekonomike, politike dhe kulturore”, i tha Kancelari i ri i Austrisë gazetës gjermane “Bild”-Zeitung (numri i së hënës). “Gëzohem për vazhdimin e bashkëpunimit me qeverinë gjermane, veçanërisht me kancelaren Angela Merkel – para së gjithash për thellimin e mëtejshëm të  marrëdhënieve tona të shkëlqyera edhe brenda BE”, u shpreh më tej Sebastian Kurz.

Gjatë kohës kur ka qenë ministër i Jashtëmi Austrisë (prej vitit 2013), Kurz-i ka shqiptuar kritika të shumta ndaj kursit të kancelares gjermane, para së gjithash për politikën ndaj refugjatëve. Ai qe shprehur qartë edhe kundër marrëveshjes për refugjatët midis BE dhe Turqisë të negociuar në masën më të madhe nga Merkeli.