Drejtorët e disa Shkollave Fillore në Shkup hedhin poshtë deklaratën e një dite më parë të ministres së Arsimit, Renata Deskovska e cila fajësoi arsimtarët dhe drejtorët për mosfurnizimin me kohë të nxënësve me libra. Para kamerës së Alsat M, ata madje publikuan kërkesat e arkivuara të cilat dëshmojnë se janë dorëzuar në afatin e paraparë për furnizim me libra dhe atë në muajin maj të vitit 2017.

Faji nuk është as te mësuesit e as të drejtorët, kërkesat janë bërë që në muajin maj. Këtë vit shkollor problem me më të madh kemi me klasat e gjashta për shkak se për ndonjë lëndë duhej të ripërtërihen librat në çdo pesë vjet dhe të marrim libra të rinj. Për këtë vit kemi kërkuar 95 libra, të vetmet që kanë arritur janë librat e shkencave natyrore dhe matematikë që janë me programin e Kembrixhit, për lëndët tjera nuk ka arritur asnjë libër tjetër deri në ditën sotme – u shpreh Elena Stojmenovska, Sh.F. “Imri Elezi”.

Kërkesa e fundit është dorëzuar më 25 maj të vitit 2017. Prej librave kanë sjell disa libra por shumë prej librave nuk I kanë sjellë. Do të tregoj vetëm një shembull kryesor ku unë jap lëndën e kimisë, te klasat e teta më mungojnë, një paralele nuk ka libra aspak, kam qenë I detyruar të bëj fotokopje ose të gjendem disi ose të jap shënime te ajo klasë sepse mungojnë librat. Edhe fizika, kimia, biologjia, por më shumë mungojnë libra të anglishtes dhe frëngjishtes – theksoi Agim Ramadani, Sh.F “7 Marsi”.

Mungesë librash vërehet edhe në shumë shkolla të mesme të Shkupit. Në atë të ndërtimtarisë mungojnë libra profesional dhe ato të gjuhës angleze.

Mungesë të librave kemi në lëndët profesionale sidomos në profilet e gjeodezisë, dizajnit, arkitekturës dhe ndërtimtarisë, ka një numër të madh të librave por nuk është puna te furnizimi I librave por problemi është që mungojnë libra profesional. Kemi pas kërkesë për 60 libra të anglishtes prej fillimit të vitit shkollor.. por kanë mbërri vetëm 20 – u shpreh Urim Mejzini, ndihmës drejtor Sh.M.Q “Zdravko Cvetkovski”.

Nga shkollat e lartpërmendura thanë se furnizimi i rregullt me libra ka qenë vetëm për ato libra që janë pjesë e programit të Kembrixhit dhe asnjë tjetër. Përvec problemit me mungesën e librave, drejtorët dhe mësimdhënësit deklaruan se nxënësit ballafaqohen me libra tërësisht të dëmtuara dhe mungesë të njësive të plota mësimore./alsat-m