Houston vijon të jetë skuadra më e mirë në Konferencën e Perëndimit. Teksanët korrën sot fitoren e 21-të sezonale, atë ndaj Portland, ku triumfuan me shifrat 124-117, një ndeshje spektakolare. James Harden ishte magjik në parket, ku realizoi 48 pikë, mbështetur edhe nga Chris Paul me 26, një dyshe që fitoi duelin me dyshen tjetër McCollum-Lillard, që për Portland realizuan 63 pikë.

Një fitore të rëndësishme jashtë fushe korr skuadra e Lakers, që mposhti 110-99 Charlotte, duke shpresuar për një vend në play off. 43 pikë të ekipit kalifornian erdhën nga lojtarët e stolit, që bënë diferencën në fushë, ndërkohë që më i miri ishte Clarkson, me 22 pikë. Një fitore surprizë arriti Chicago, që mundi 104-102 New York, duke korrur suksesin e 6-të sezonal. Edhe për Bulls, lojtarët e stolit ishin vendimtarë, duke realizuar 54 pikë (Mirotic 19 pikë)..

Një paraqitje të shkëlqyer në kampionat po bën skuadra e San Antonio, që pasi mundi dje Boston sot triumfoi 104-101 ndaj Phoenix, në një ndeshje spektakolare dhe emocionuese deri në fund. Suksesi i 20-të sezonal për Spurs mban firmën e dyshes Aldridge-Mills, që realizuan nga 20 pikë secili, duke i bërë të pavlefshme 24 pikët e Warren për miqtë. Fiton edhe skuadra e Cleveland, që mundi 105-98 Philadelphia dhe kërcënon Boston në Lindje.

Skuadra e Cavaliers korri suksesin e 20-të në kampionat, ndeshje ku sërish diferencën e bëri LeBron James, autor i 30 pikëve, 13 rebaund e 13 asist, një lider në fushë. Pas kohës shtesë fiton Oklahoma, që mundi 102-101 Memphis në fund të një ndeshje mjaft dramatike. katër lojtarë të Oklahomës realizuan mbi 20 pikë (Antjony e Adams nga 21 e Westbrook e Abrines 20), duke bërë diferencën në parket. Në sekondat e fundit fitojnë edhe Clippers, që mundën 113-112 Washington, ku vendimtar ishte Lou Williams me 35 pikë, mbështetur nga Gallinari me 25.

Rezultatet e sotme

Clippers – Washington, 113-112

Brooklyn – Miami, 89-101

Charlotte – Lakers, 99-110

Atlanta – Orlando, 117-110

Chicago – New York, 104-102

Cleveland – Philadelphia, 105-98

Milwaukee – Utah Jazz, 117-100

Memphis – Oklahoma, 101-102

Phoenix – San Antonio, 101-104

Portland – Houston, 117-124