Shoferët e taksive nuk do kenë nevojë për certifikatë ndërkombëtare për gjuhë angleze.

Ministria e Transportit dhe Lidhjeve paralajmëroi se ka filluar procesi i përgatitjes së ndryshimeve në Ligjin për Transportin Rrugor.

Me ndryshimet parashihet heqja e kërkesës që taksistët të kenë certifikatë ndërkombëtare për njohjen e gjuhës angleze.

Ligji aktual parashikon që taksistët përveç kushteve tjera duhet të posedojnë edhe certifikatë ndërkombëtare të njohjes së gjuhës angleze në nivelin A1 ose A2, sipas Kornizës së Përbashkët referuese Evropiane për Gjuhët (CEFR) të Këshillit të Evropës.

“Qëllimi i projektligjit është të fshijë kushtin për posedimin e një certifikate ndërkombëtare për njohjen e gjuhës angleze në nivelin A1 ose A2 që i referohet shoferëve të taksive”. Sipas dinamikës, ndryshimet ligjore priten të votohen pas Vitit të Ri.