Kërkesa e prokurorisë drejtuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në lidhje me heqjen e mandateve të dy deputetëve të Kuvendit, nëse do të miratohet për tu shqyrtuar dhe do të merret vendim pro saj atëherë Kuvendit do t’i bashkohen dy deputetë të rinj.

Dy emrat që janë prekur nga ligji i dekriminalizimit janë pikërisht deputeti i LSI-së për qarkun e Beratit, Gledjon Rahovica dhe ai i PDIU-së për qarkun e Elbasanit, Aqif Rakipi. Por nëse KQZ do të marrë vendimin se këta dy deputetët duhet të lënë mandatet pas raportimeve të prokurorisë, atëherë në radhët e LSI në Kuvend vjen një emër i njohur, Silva Caka, e cila ka qenë gjithashtu deputete e kësaj force politikë nga vitit nga 2013 deri në 2017.

Ndërsa për Elbasanin në vend të Rakipit mandatin mund ta marrԯ një figurë, e cila më herët kontributet e tij i ka dhënë për PS, Dritan Bici. Bici nuk është në  figurë e panjohur për mbarë opinion publik, pasi vjen nga radhët e drejtuesve në pushtetin vendor duke qenë se ka qenë kryetar i bashkisë së Gramshit.

Kush është Dritan Bici?

Dritan Bici në mars të vitit 2013 kur ishte kryebashkiak i Gramshit, hyri me makinë në stadium për të rrahur arbitrin e ndeshjes, pasi ishte i pakënaqur me vendimet për ndeshjen.

Ngjarja skandaloze tërhoqi vëmendjen edhe të mediave të huaja. “Elf Voetbal”, revista më e madhe për futbollin në Holandë, ishte një nga mediat e huaja që e ka pasqyruar ngjarjen. Asokohe kryebashkiaku u dënua për të mos hyrë në stadium deri në fund të sezonit futbollistik. Për atë ngjarje ai kërkoi falje publikisht, duke shpjeguar edhe arsyet përse e shtynë të futej në stadium me makinë për të dhunuar arbitrin.

Lidhja e tij me partinë e Shpëtim Idrizit është e re, pasi që prej vitit 1992, Bici ka qenë pjesë e strukturave të PS-së dhe kryebashkiak i kësaj force politike për vite me radhë. Përplasjet me PS-në nisën në vitin 2015. Kur e kuptoi se Rama nuk do ta rikandidonte më në zgjedhjet lokale, ai nisi sulmet publike ndaj Damian Gjiknurit, i dërguari i Ramës si koordinator për qarkun Elbasan, shkruan lapsi. Gjiknuri nga ana tjetër përmes ILDKPI i bëri kallëzim për fshehje të pasurisë Dritan Bicit. Megjithatë ai rikandidoi për Bashkinë Gramsh me ‘Frontin e Majtë’, duke humbur përballë Luljeta Dollanit të PS-së.

Në prag të zgjedhjeve të vitit 2017, Dritan Bici nisi përplasjet edhe me Anastas Angjelin, i dërguari i PS-së në Gramsh. ‘Ju ngeli Caci dhe nuk dinin ku ta çonin, e sollën në Gramsh’, shprehej ai për Anastas Angjelin, të cilin mund ta ketë kolegë në Kuvend e brenda koalicionit qeveritar.

Dritan Bici figuron gjithashtu edhe i dënuar me vendim gjykate. Sipas asaj që ai shkruan në formularin e vetëdeklarimit, rezulton i dënuar me vendim të formës së prerë në shtator 2013 për incidentin që ndodhi në stadium. Ish-kryebashkiaku është dënuar me 60 orë punë të detyruara për interes publik. Dënimi në këtë formë ka zgjatur rreth 5 muaj. Nuk dihet nëse ky dënim mund t’i rrezikojë atij sërish mandatin që pritet të marrë, gjithmonë po që se KQZ-ja do të votojë kundër Aqif Rakipit.

Në formularin e vetëdeklarimit, Dritan Bici shkruan ndër të tjera se ka qenë edhe emigrant i paligjshëm në Greqi në vitet 1993-1995. Por ‘qershia mbi tortë’ e karrierës së tij mbetet padyshim akti i rëndë i marsit të vitit 2013, kur hyri në stadium me makinën personale, për të dhunuar arbitrin e ndeshjes.

Kërkesat e prokurorisë

Kërkesa e organit të akuzës për tu hequr mandatet e deputetëve prek dy figura që dhe më herëtmkanë qenë me nga një mandat deputeti në Parlament. Kërkesa e pare lidhet pikërisht me deputetin e LSI-së, Gledjon Rahovica, i cili rezulton në Itali i dënuar për vjedhjen e një dyqani, me një emër të rremë Kusta Mina. Po i dënuar në Itali sipas organit të akuzës ka rezultuar edhe deputeti i PDIU-së, Aqif Rakipi, i cili është raportuar ne vitin 1998 për veprën penale te marrjes se mallrave te vjedhur ne Itali, por me tjetër emër, Skender Ejylbegaj. Zbulimi i tyre është bërë përmes krahasimit të gjurmëve të gishtave nga Interpol Tirana dhe Interpol Roma.