Deputeti i Vetëvendosjes Albin Kurti ka drejtuar kritika ndaj gjyqtarit Beqir Kalludra, duke thënë se nuk pranon të gjykohet nga një simpatizues i fashizmit.

Kurti ka përmendur në seancë se gjyqtari Kalludra ditë më parë kishte postuar një thënie të diktatorit nazist Adol Hitler.

Nga ana tjetër, gjyqtari Kalludra ka pralajmëruar Kurtin se do ta largojë nga seanca nëse vazhdon me akuza të tilla.

“Unë jam antifashist dhe nuk pranoj të më akuzoj një simpatizues i fashizmit”, ka thënë Kurti para gjykatës.

Gjyqtari në Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Beqir Kalludra ka shpërndarë ditë më parë në profilin e tij zyrtar në Facebook thëniet e njërit prej diktatorëve më të tmerrshëm që bota ka njohur, Adolf Hitler-it.

“Kur je në dritë gjithçka të ndjek pas. Por, kur hyn në errësirë nuk të ndjek më as hija jote”- është njëra prej thënieve që Kalludrës i ka pëlqyer për ta ndarë me miqtë e tij të Facebook-ut.

 Hitleri ka qenë njëri prej diktatorëve më të këqinj në botë, duke shkaktuar vdekjen e miliona njerëzve të pafajshëm gjatë Luftës së Dytë Botërore, derisa në botën demokratike ai nuk përmendet në kontekst pozitiv.