E ashtuquajtura Deklararë e Tiranës, për të cilën u çua aq pluhur nga VMRO dhe Kryetari i Shtetit, më tepër kishte karakter simbolik, jo pse erdhi nga Tirana, por pse për herë të parë u ulën liderët e partive shqiptare në një tryezë, thotë profesori universitar Vebi Bexheti.

Sipas tij, takimi i Tiranës me aktorët shqiptarë të Maqedonisë, që përfundoi me një deklaratë të përbashkët, me kërkesa krejt të zakonshme, për disa të drejta të shqiptarëve, madje shumë me të buta se vet pikat programore të atyre partive,  që nga momenti kur sapo mbaroi, dha shenja se nuk ngjau diçka serioze sepse dikush në këtë tryezë u ul vetëm formalisht, që me ate çka po ndodh këtyre ditëve në Qeveri, dëshmohet si e vërtetë.

“Dalja e Aleancës për shqiptarët nga Qeveria, apo më mirë të themi, përjashtimi i partisë së Zotit Sela nga Kabineti qeveritar, për shkaqe tanimë të njohura, gjithsesi këtë Deklaratë me nënshkrimet e njëjta do ta fundos përfundimisht, sepse aktori kryesor, i Deklaratës dhe inspiruesi për një takim të këtillë, Ziadin Sela dhe Partia e tij ,nuk janë të përshtatshme për Zoran Zaevin dhe Ali Ahmetin”, thotë për Zhurnal, Vebi Bexheti, profesor universitar.

Nga e tërë ajo që ngjau, shton mëtej profesor Bexheti, tani më është e qartë se ajo deklaratë si e tillë nuk mund të funksionojë, përderisa Ali Ahmeti deklaron se nuk ulet me ,,horrat”.

“Edhe pas atyre deklaratave jo të zakonshme për një lider partie që pretendon të jetë edhe i pari i tërë shqiptarëve të Maqedonisë, Kryetari Sela ,deklaroi se është i gatshëm t’i thërras në takimin e radhës nënshkruesit e atij dokumenti, edhe pse është e vështirë të besohet për ndonjë takim të sërishëm, pas deklaratave me aq ton të lartë dhe përjashtuese të liderit të BDI – së”, nënvizoi Bexheti.

Nga ana tjetër, analisti politik Muhamer Pajaziti thekson se Platforma shqiptare ka kohë që është harruar.

“Qeveria e re nuk ka dhënë as edhe një sinjalë për  implementimin e pikave më të rëndësishme të kësaj marrëveshje, e cila reflektonte mulitietnicitetin shoqëror dhe barazinë etnike në Maqedoni. Arratja e barazisë së plotë gjuhësore, debate gjithpërfshirës mbi flamurin, himnin dhe stemën shtetërore tashmë është harruar. Për shqipen u ofruar një ligj i cunguar, ndërsa barazia sociale kërkon kohë të gjatë, për faktin se shteti po përballet me mungesë të parave si dhe borxhe të mëdha të jashtme.  Është një krizë e thellë që po reflektohen edhe në vonesat e pagave, pensioneve dhe ndihmave sociale. Mos të flasim për disa tema absurde për rrethanat tona si  dënimi i gjenocidit ndaj shqiptarëve nga viti 1912-1956”, thekson për Zhurnal, Muhamer Pajaziti, analist politik.

Ai potencon se procesi i anëtarësimit në NATO dhe BE-së kërkon ndryshimin e emrit kushtetues, kontest i cili do të shtyhet për një periudhë më të gjatë kohore, për faktin se qeveria e re nuk i ka numrat dhe forcën për tu pëballë me probleme të tilla.

“Gjitha parametrat në bëjnë me dije se këtë platformë e ka mbuluar pluhuri dhe kjo për dy arsyje. Përcarjes së subjekteve shqiptare si dhe mosgatishmërisë dhe mentalitetit të vjetër të lidershipit maqedonas për tu marrë me avansimin e statusit juridiko-kushtetues të shqiptarëve”, konstaton Pajaziti. Derisa kreu i BDI-së, Ali Ahmeti një javë më parë deklaroi se nuk ulet më me liderët e partive tjera, kreu i ASH-së, Ziadin Sela ka theksuar se është i gatshëm për të vazhduar takimet që janë paraparë me platformën e firmosur.  /Zhurnal.mk/