Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve sot në seancë do të debatojë lidhur me Vendimin e tij për pagesën e kompensimit të kryetarit, zëvendëskryetarit dhe anëtarëve, si dhe të punësuarve në shërbimin profesional të Komisionit dhe personave të angazhuar në trupat e tij ndihmëse për zbatimin e zgjedhjeve lokale të vitit 2017.

Dje ambasadori amerikan Xhes Bejli paraqiti  informacion në opinion se anëtarët e KSHZ-së kanë votuar pagë shtesë për katër muaj shtesë për punën e tyre në zgjedhjet e tetorit në mënyrë plotësuese kanë marrë pagë edhe për pesë muaj pas zgjedhjeve të vitit 2016.

Pas kësaj KSHZ doli me reagim se kryetari dhe anëtarët e organeve zgjedhore dhe administrata zgjedhore kanë të drejtë të kompensimit konform nenit 19 nga Kodi Zgjedhor i cili përcaktohet me akt që e sjell KSHZ-ja dhe se kjo e drejtë është përcaktuar për të punësuarit në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve nga viti 2006, ndërsa për anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve nga viti 2014.

Nga KSHZ theksojnë se edhe krahas asaj të drejtë, kanë vendosur sot në seancë publike të debatojnë për propozim-vendimin për revokim të vendimeve të marra për përcaktimin e kompensimit për anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve dhe të punësuarve në shërbimin profesional për zgjedhjet e zbatuara.

Në seancën e sotme të KSHZ-së anëtarët do ta shqyrtojnë edhe Raportin për zgjedhjet e zbatuara për anëtarët e këshillave të komunave dhe Këshillin e Qytetit të Shkupit dhe për kryetarët e komunave dhe për kryetarin e Qytetit të Shkupit.