Iniciativa për reforma brenda-partiake në VMRO-DPMNE nuk do të propozojë kandidatin e saj në Kongresin e jashtëzakonshëm të VMRO-së i cili do të mbahet më 23 dhjetor në Vallandovë. Sipas tyre, mënyra se si është organizuar kongresi, lë të kuptohet se brenda opozitares nuk do të ndryshojë asgjë.

Iniciativa për reforma brenda-partiake në VMRO-DPMNE
“Mënyra se si është thirrur dhe shpejtësia në aspektin organizativ të këtij Kongresi është vetëm një arsye se në të ardhmen e afërt i njëjti do të duhet të përsëritet. Për këtë arsye ne nuk propozojmë kandidatin tonë, ndërsa 208 që na mbështesin si iniciativë për reforma brenda-partiake u rekomandojmë votimin sipas bindjes së tyre por gjithnjë duke pasur parasysh principet e iniciativës dhe kërkesën për ndryshimin e statutit partiak”.

Nga ana tjetër VMRO-DPMNE-ja vazhdon të mbaj sekret emrat e kandidatëve për kryetar të ardhshëm të kësaj partie. Ndonëse nga ky subjekt thonë se zyrtarisht nuk ka asnjë kandidat, Alsat M nga burime brenda-partiake mëson se partia ka informacion për kandidaturën e Hristijan Mickoskit dhe atë të Filip Petrovskit. Ky i fundit ditë më parë nga një paraqitje e drejtpërdrejtë kërkoi që kryetari i ri të zgjidhet nga anëtarësia dhe jo nga delegatët. Zhvillimet brenda-partiake kryetari aktual i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski i quajti si normale.

Për momentin ka fushatë të brendshme partiake dhe në situata të tilla ndodh gjithçka. Kam dëgjuar për disa vërejtje dhe për atë jam prononcuar në rrjetin social dhe dërgova disa porosi pas të cilave shpresoj se punët janë rregulluar. Kjo është e vërteta, kur ka më shumë interesuar ka edhe prej tyre që janë të pakënaqur. Rëndësi ka porosia që ata të respektohen mes veti dhe pas 23 të bashkëpunojnë dhe të jenë në të njëjtën anë. Të mos ndikohen nga emocionet por nga logjika – deklaroi Nikolla Gruevski, Kryetar i VMRO-DPMNE-së

Për kolltukun e partisë lakohen edhe emrat e ish shefave të diplomacisë, Antonio Miloshoski, Nikolla Poposki, si dhe ish ministri i shëndetësisë dhe arsimit, Nikola Todorov. Kongresi i jashtëzakonshëm për emërimin e kryetarit të ri të VMRO-DPMNE-së, pas dorëheqjes së Nikola Gruevskit është në fundjavën e ardhshme më 22 dhe 23 dhjetor në Vallandovë, ku do të vendosin votat e 544 delegatëve./Alsat-M