Dy muaj pas zgjedhjeve lokale, kryeministri Zaev akoma nuk ka vendosur për dikasteret që mbeten pa ministra, sidomos ai i Shëndetësisë. Aleanca për Shqiptarët insiston të ruajë Shëndetësinë dhe se për këtë post kanë ofruar emrin e Vullnet Feratit. Dhe përderisa pritet një vendim i prerë i Zaevit, nga partia e tij thonë se presin kthimin e Ziadin Selës nga SHBA-ja. Por burime nga socialdemokratët bëjnë me dije se të gjitha opsionet janë akoma në lojë, duke mos përjashtuar edhe këmbime të ministrave mes partnerëve qeveritar. Jozyrtarisht mësohet se partnerët e koalicionit po shqyrtojnë mundësinë që nga Qeveria të largojnë Vesel Memedin e RDK-së. Ky i fundit as nuk i përgënjeshtron dhe as nuk i pohon zërat për largimin e tij nga ekzekutivi. Ndërkohë analistët e shohin si neglizhencë të shumicës qeveritare ndaj qytetarëve dhe nevojave të tyre mos plotësimin e resorëve me ministra.

Sigurisht që kjo krijon një vështirësi, pasiguri dhe jo efikasitet në kuadër të sistemit juridik të vendit. Deri në momentin kur Qeveria do të propozon dhe të Kuvendi të zgjedh bartësit e ministrive nëpër resorët e caktuar krijohet edhe pamundësi efikase e shërbimeve publike për qytetarët. Kjo ë vështirëson hallkën e funksionimit të sistemit dhe konsideroj se partnerët e koalicionit duhet që sa më shpejtë të zëvendësojnë këta resorë me kuadro të reja të cilët duhet të jenë efektivë- thotë analisti Jusuf Zejneli.

Zejneli shton se pritjet e deritanishme kanë efekte anësore edhe ndaj administratës në ministritë e caktuara.

Mungesa e një bartësi të funksionit në një institucion të caktuar ndikon edhe në shkallën e përgjegjësisë tek nëpunësit administrativ dhe në fund është qytetari ai i cili humb në realizimin e një shërbimi më të shpejtë dhe më efektiv- shton Zejneli.

Në bisedimet mes partnerëve është hedhur edhe mundësia e një posti të ri që do t’i jepet ASH-së zv.kryeministër për reforma. Në kuadër të reformimit të mundshëm qeveritar, përflitet që ministria e Drejtësisë, si një nga resorët me më shumë punë në përmbushjen e reformave të kërkuara nga Brukseli, të kalojë në duart e LSDM-së, me ndonjë shkëmbim tjetër ministror me BDI-në. Nga ana tjetër integristët kishin paralajmëruar mundësinë për të mos votuar ministrin e Aleancës për Shqiptarët, pasi Ziadin Sela kishte akuzuar liderin e BDI-së për atentat në natën e 27 prillit në Kuvend./alsat-m