Kompanitë franceze janë të interesuara për investime dhe për të punuar në projektet e sektorit të hekurudhave në Maqedoni por edhe në aktivitetet e tjera infrastrukturore. Mundësitë për bashkëpunim i shqyrtuan sot në takim përfaqësues të 12 kompanive nga Franca me ministrin e Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski, i cili i prezentoi planet e Qeverisë në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore.

Më shumë kompani franceze kanë shprehur interesim për pjesëmarrje veçanërisht në hekurudhën e Maqedonisë dhe të investojnë por edhe të marrin pjesë në nivele të ndryshme, pasi që të gjithë e kemi të qartë se hekurudha është me të vërtetë sfidë e madhe. Duhet parë qëllimi më afatgjatë, ndërsa ai është mbrojtja e mjedisit jetësor. Komunikacioni hekurudhor ndot shumë më pak, deklaroi ambasadori francez në Maqedoni, Kristian Timonie, i cili e organizoi takimin që mbahet në rezidencën franceze në Shkup.

Në Maqedoni, vlerësoi Timonie, jo vetëm se në planin politik është kthyer një faqe e ere, por është gjetur dinamikë e re në planin ekonomik.

“Lidhur me klimën investuese Qeveria e re me të vërtetë dëshmoi se do të ketë qasje transparente dhe trajtim të barabartë edhe ndaj kompanive të huaja edhe ndaj atyre të Maqedonisë”, tha Timonie.

Sugareski paralajmëroi se para kompanive franceze do t’i prezentojë projektet kapitale të cilat i planifikon Qeveria në Korridorin 8 për ndërlidhje hekurudhore të Maqedonisë me Shqipërinë dhe Bullgarinë si edhe për aktivitetet e ardhshme për ndërtimin e autostradave, akseve rrugore eksprese dhe rajonale.

Për Korridorin 8 Maqedonia akoma nuk ka siguruar financa për aksin e tretë në hekurudhën drejt Bullgarisë nga Kriva Pallanka në VK Deve Bair, ndërsa prej kreditorëve ndërkombëtarë do të kërkohen para edhe për hekurudhën Kërçovë – Lin për të cilën përfundoi dokumenti projektues.