Një video bizare që është duke qarkulluar në internet ka bërë xhiron e botës, për faktin se në të shfaqen disa punëtore të një kompanie që janë detyruar ta godasin njëra-tjetrën me shuplakë në fytyrë, pasi gjatë vitit nuk kanë qenë edhe aq aktive në punën për të cilën paguhen.

Vajzat e kompanisë Nanchang Jinhuayuan Meiye që merret me prodhimin e produkteve kozmetike (të bukurisë), janë dënuar pasi që nuk kanë dhënë maksimumin gjatë vitit dhe kanë pasur një performancë të dobët.

Shefi i tyre raportohet se ka detyruar punëtoret ta ndëshkojnë njëra-tjetrën, me qëllim që të ruajnë vendin e tyre të punës. Ky lloj ndëshkimi është realizuar në një skenë gjatë një mbrëmje gala, që është organizuar për të shënuar 14-vjetorin e kompanisë.

Në prezencë të qindra kolegeve, dhjetëra femra nga departamenti i shitjes janë gjunjëzuar në skenë dhe kanë filluar ta godasin me shuplaka njëra-tjetrën, derisa shefi i tyre i urdhëroi të ndalen.

Pamjet e këtij incidenti janë publikuar në internet, dhe deri më tani janë shikuar nga mbi 6 milionë persona.

Ndërkaq, një zyrtar i kompanisë është munduar të arsyetoj vendimin e shefit, duke thënë se ishte thjesht një lojë për të mbajtur “shpirtin ekipor” të gjallë.