Komisari i lartë i KB-së për të drejta të njeriut, Zeid Raad Al Hysein sot e dënoi vrasjen e invalidit palestinez, të qëlluar të premten prej forcave izraelite gjatë përleshjeve përgjatë kufirit me Gazën dhe bëri thirrje për hetim të pavarur dhe të paanshëm.

Ibrahim Abu Turaja i ka humbur këmbët gjatë një goditje ajrore izraelite para nëntë vitesh. Burri në karrocë invalidore ishte në mesin e palestinezëve të vrarë gjatë protestave dhe përplasjeve nga fundi i javës së kaluar, të cilat shpërthyen pas vendimit të presidentit amerikan, Donald Tramp për ta njohur Jerusalemin për kryeqytet të Izraelit.

“Prej fakteve të grumbulluara prej personelit tim në Gazë, mund të thuhet se forca e përdorur kundër Ibrahim Abu Turaja, ka qenë e madhe”, tha Zeid, duke shtuar se palestinezi, si duket ka vdekur pasi është qëlluar në kokë, kur ka qenë rreth 20 metra prej rrethojës në kufirin midis Izraelit dhe Gazës.

Zeid deklaroi se duke e pasur parasysh invaliditetin e Turajas, nuk ka dëshmi se ai paraqiste kanosje për forcat izraelite.

“Vrasja e tij është e papranueshme – veprim vërtetë tronditës dhe i paarsyeshëm”, tha komisari i lartë.