Koreja e Veriut akuzoi SHBA-në për “shantazh bërthamor”, gjatë diskutimeve me një zyrtar të lartë të OKB-së, por ajo ka pranuar të komunikojë rregullisht me organizatën botërore, njoftoi sot agjencia koreano-veriore e lajmeve, KCNA.

Diplomati amerikan, Jeffrey Feltman, zëvendëssekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për Çështjet Politike mbërriti sot në Pekin pasi përfundoi një vizitë pesëditore në Phenian në kuadër të zbutjes së krizës në gadishullin korean.

Kjo vizitë e jashtëzakonshme filloi një javë pas lëshimit më 28 nëntor nga Koreja e Veriut të një rakete balistike ndërkontinentale (ICBM) e aftë sipas ekspertëve të arrinte në territorin kontinental të SHBA-së.

“Gjatë kësaj vizite, e para për një diplomat të OKB-së, në këtë funksion që prej 2010, Feltman u takua me ministrin koreano-verior të Punëve të Jashtme, Ri Yong-Ho dhe zëvendësminitrin, Pak Myong-Kuk”, njoftoi agjencia zyrtare koreano-veriore e lajmeve KCNA.

“Gjatë këtyre bisedimeve, pala jonë deklaroi se politika armiqësore e SHBA-së kundër Koresë së Veriut dhe shantazhi i saj bërthamor janë përgjegjëse për situatën aktuale të tensionuar në gadishullin korean”, deklaroi agjencia e lajmeve.

“Përveç të tjerave, Republika Popullore Demokratike e Koresë ra dakord me OKB-në për përmirësimin e komunikimeve nëpërmjet vizitave të niveleve të ndryshme”, shtoi agjencia e lajmeve, KCNA.