Në Bruksel sot u mbajt Samiti i 18-të politik për Ballkanin Perëndimor i titulluar “Ballkani Perëndimor në udhëkryq: Sfida të reja, ndryshim i dinamikës”, i cili merret me temat paqe, demokraci dhe pajtim në rajon, si parakusht për stabilitet ekonomik dhe shoqëror, por edhe perspektivën afariste dhe reformat e domosdoshme.

Tubimin, i organizuar nga Këshilli për bashkëpunim rajonal, e hapi kryeminitri i Shqipërisë, Edi Rama, duke thënë se Bashkimi Evropian është forcë e rëndësishme shtytëse për Ballkanin, sepse pa të rajoni nuk do të mund t’i zbatonte reformat ekzistuese dhe gjithçka që ndodhë në Ballkan, ndodhë sepse Ballkani dëshiron të jetë pjesë e familjes evropiane.

“Nëse kjo shpresë zbehet, gjërat mund të shkojnë në drejtim të gabuar. Prandaj pyetja jonë nuk është se çka do të ndodhë mes nesh, por çka do të ndodhë mes nesh dhe BE-së”, pyeti Rama, kumtoi RCC.

Plani shumëvjeçar i aksionit për Hapësirën rajonale ekonomike të Ballkanit Perëndimor, të cilin e përgatiti Këshilli për bashkëpunim rajonal, ndërkaq të cilin liderët e gjashtë ekonomive nga Ballkani Perëndimor e mbështetën në samitin e Procesit të Berlinit më 12 korrik të këtij viti në Trieste, është në qendër të vëmendjes të bisedimeve dhe i cekur si hap drejt qëllimit të përbashkët të rajonit, e ai është anëtarësimi në BE.

“Kemi plan për përparim të rajonit dhe tani vetëm duhet ta zbatojmë”, tha sekretari i përgjithshëm i Këshillit për bashkëpunim rajonal, Goran Svillanoviq duke folur në panelin “Perspektiva afariste gjithnjë e më e mirë, por reformat duhet të vazhdojnë”.

“Plani shumëvjeçar i aksionit për Hapësirën rajonale ekonomike në gjashtë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor është plan i qartë me të cilin janë paraparë përmirësime në sferën e tregtisë, me tërë atë që tashmë është bërë deri më tani që të përfshihen shërbimet tregtare dhe mënjanimi i barrierave jodoganore, por edhe të gjenden mënyra se si të tërhiqen investime dhe në atë mënyrë rajoni të bëhet konkurrues”, theksoi Svillanoviq.

Sipas fjalëve të tij, plani shumëvjeçar i aksionit përfshin dhe mundëson mobilitet të personave profesionistë, hulumtuesve, inovatorëve, studentëve dhe të tjerëve me anë të mënjanimit të pengesave ekzistuese dhe në fund, me rëndësi të posaçme, digjitalizimi dhe integrimi digjital i rajonit.

Sipas raportit të sivjetmë për zbatim të strategjisë “EJL 2020” Këshilli për bashkëpunim rajonal për vitin 2017 përsëriti se rritja e punësimit paraqet rrëfim për suksesin.

Ekonomitë e Ballkanit Perëndimor arritën që gjatë pesë viteve paraprake në tregun e punës të shtojnë pothuajse 400 mijë vende të punës. Edhe pse efekti dallohej nga njëra deri në tjetrën ekonomi, pritet që ky trend i dukshëm i rritjes të vazhdojë edhe viteve të ardhshme.

Megjithatë, edhe krahas këtyre rezultateve inkurajuese, barometri ballkanik për vitin 2017 i Këshillit për bashkëpunim rajonal tregon se papunësia ka mbetur problemi më i madh i qytetarëve në rajon që është konfirmuar nga 67 për qind e tyre.

Drejtori i Drejtorisë për zgjerim dhe politikë fqinjësore pranë Komisionit Evropian, Kristian Daniellson tha se midis liderëve të Ballkanit Perëndimor ekziston angazhim i madh që të realizohet progres në reformat në rrugën për inkuadrim në Bashkimin Evropian.

“Për disa ekonomi do të ishte e dhimbshme, por do të sillte rezultate të dëshiruara. Pamë ndryshime në drejtim të modelit ekonomik në rajon të cilët janë inkurajuese. Potenciali i rajonit qëndron në bashkëpunimin rajonal. Në bashkëpunim të afërt me Këshillin për bashkëpunim rajonal për momentin punojmë në hapësirën ekonomike rajonale, për shkak se e shohim si nxitës të fuqishëm të rritjes dhe hapjes së vendeve të punës në rajon të cilët do të sjellin dobi për njerëzit. Nuk bëhet fjalë për alternativë të zgjerimit të BE-së, por për stimulim për të”, theksoi Daniellson.

Përndryshe, takimi i Brukselit mblodhi rreth 200 persona midis të cilëve disa nga politikanët udhëheqës dhe marrës të vendimeve nga Ballkani të cilët e shqyrtojnë ardhmërinë e Ballkanit Perëndimor me përqendrim të posaçëm tek papunësia si problem i madh i rajonit, reforma të shumta të pritura në rrugën drejt inkuadrimit në BE.

Takimin e organizuan Miqtë e Evropës, organizatë udhëheqëse profesionale me seli në Bruksel me mbështetje të Komisionit Evropian, Këshilli për bashkëpunim rajonal, Fondacioni “Konrad Adenauer”, Programi zhvillimor i KB-së dhe “Fondacioni i vëllezërve Rokfeler”, është mbajtur sot në Bruksel.