Hapi i ardhshëm i Komisionit evropian, pas inicimit të nenit 7 kundër Polonisë, me të cilin i merret e drejta e votës, është të kërkojë nga qeveritë e vendeve anëtare të BE-së të shpallin se ndryshimet në jurisprudencën në Poloni paraqesin “rrezik të qartë për shkelje të rëndë të vlerave të BE-së, posaçërisht në pjesën e sundimit të së drejtës”.

Komisioni Evropian sot i propozoi Këshillit të Evropës të fillojë procedurë kundër Polonisë sipas nenit 7 nga Marrëveshja e Lisbonës, që do të çonte drejt marrjes të së drejtës së votës për Poloninë në institucionet e BE-së.

Kjo është hera e parë që BE-ja të fillojë një procedurë të këtillë kundër një shteti anëtar.

“Me zemër të thyer e aktivizuam nenin 7 por, nuk kemi zgjedhje tjetër, duke i pasur parasysh faktet. Nuk patëm mundësi tjetër. Kjo nuk bëhet për shkak të Polonisë, por për tërë BE-në”, deklaroi nënkryetari i Komisionit Evropian, Frans Timermans, i cili e zhvilloi procesin kundër Polonisë.

Timermans megjithatë shfaqi shpresë se Brukseli dhe Varshava do të mund t’i vazhdojnë dhe intensifikojnë bisedat rreth çështjeve kontestuese.

Komisioni Evropian e akuzon Poloninë se i ka shkelur rregullat e BE-së për sundim të së drejtës, pasi që Parlamenti polak miratoi ligje për reforma në jurisprudencë. Për BE-në ishte kontestues edhe vendimi i shumicës së partisë polake në pushtet E Drejta dhe Drejtësia që të mos u lejojë pesë anëtarëve të Gjykatës Supreme, të emëruar para zgjedhjeve në vitin 2015 nga ana e Qeverisë paraprake, t’i marrin funksionet e veta në Gjykatë.

Propozimi i Komisionit Evropian për aktivizim të nenit 7 do t’i parashtrohet Këshillit Evropian, ku Polonia nuk mund ta përdorë të drejtën e vet të vetos, por shtete të tjera, si Hungaria, paralajmëruan se do ta bllokojnë dhe nuk do të lejojnë të shkohet deri në fund dhe Varshavës t’i merret e drejta e votës në BE.