Përfaqësuesi i KB-së për të drejta të njeriut, Zeid Raad al Hysein deklaroi se nuk e përjashton mundësinë që sjellja e forcave të sigurisë ndaj rohinxhëve në Mianmar të cilësohet si gjenocid.

Në mbledhje të posaçme të Këshillit për të drejta të njeriut të KB-së, Al Hysein theksoi se pjesëtarët e kësaj bashkësie vazhdojnë të ikin nga shteti verior Rakajn, ku në dhunën ndaj tyre ka elemente të gjenocidit si diskriminimi sistematik, tortura dhe sjellja e keqe, shpërngulja e dhunshme dhe rrënimi sistematik i fshatrave të tyre.

Përfaqësuesi i KB-së theksoi se asnjë nga 626 mijë rohinxhët të cilët ikën nga dhuna deri më tani, nuk duhet të kthehen në Mianmar përderisa nuk vendoset monitorim në vetë vendin.

Në mbledhjen e sotme në Gjenevë disa vende, mes të cilave Arabia Saudite dhe Bangladeshi, propozuan rezolutë në të cilën qëndron se ka dëshmi për krime kundër njerëzimit ndaj rohinxhëve. Në vendim, për të cilin do të vendoset sot më vonë, u bëhet thirrje autoriteteve në Mianmar që ta lejojnë KB-në dhe organizatat humanitare të kryejnë hetim dhe të organizojnë ndihma humanitare.

Autoritetet në Mianmar e njoftuan Këshillin për të drejta të njeriut të KB-së se i saktësojnë kushtet për krijim të grupit të përbashkët punues me Bangladeshin dhe se presin që procesi për kthimin e rohinxhëve të fillojë për dy muaj.