Katari u bën thirrje shteteve të botës që të mos hapin përfaqësi diplomatike në qytetin e Kudsit dhe t’i respektojnë vendimet e marra nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara (KS-OKB) për Kudsin, transmeton Anadolu Agency (AA).

Këshilli Ministror i Katarit, i mbledhur në kryeqytetin Doha, nën kryesimin e kryeministrit të Katarit, Sheiku Abdullah bin Nasir bin Halife Al Thani u bëri thirrje shteteve të botës që të mos hapin përfaqësi diplomatike në qytetin e Kudsit dhe t’i respektojnë vendimet e marra nga KS-OKB.

Ministri i Drejtësisë së Katarit, Hasan bin Lahdan el-Hasan el-Muhennedi pas takimit në një deklaratë për agjencinë zyrtare të shtetit QNA tha se këshilli ministror ka pritur me kënaqësi rezultatet e votimit të mbajtur në AP të OKB-së më 21 dhjetor, për konfirmimin e asaj që çdo hap dhe vendim që ka për qëllim ndryshimin e strukturës së qytetit të Kudsit është i papranueshëm.

Ai tha se Këshilli ministror u ka bërë thirrje të gjitha shteteve për mosnjohje të vendimeve të cilat shkelin vendimet e KS të OKB. Muhennedi shpreson se vendimi i marrë nga AP-OKB do të shndërrohet në vepra për të siguruar paqe gjithëpërfshirëse, të përhershme dhe të drejtë, e cila do të rezultojë me themelimin e shtetit të Palestinës me kryeqytet Kudsin.

Javën e kaluar AP-OKB me shumicë votash miratoi rezolutën për Kudsin kundër vendimit të Trumpit. Përkundër kërcënimeve të SHBA-ve rezultati i votimit ishte 128 pro, 9 kundër dhe 35 vota abstenim.

Presidenti amerikan, Trump, më 6 dhjetor e njohu Kudsin si kryeqytet të Izraelit dhe paralajmëroi zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Kuds.