Një 20-vjeçar nga Tirana është arrestuar nga policia në Qafë Thanë dhe një maqedonas u shpall në kërkim pasi tentuan të kalonin me makinë në Maqedoni me një sasi prej 6. 3 kg kanabis.

Në pranga u vu shtetasi Genti Muceku, 20 vjeç, banues në Tiranë ndërsa në kërkim u shpall D.U, 22 vjeç, banues në Shkup-Maqedoni. Ne njeftimin e policisë thuhet:

“Shtetasit e lartpërmendur janë paraqitur në dalje të Republikës së Shqipërisë, në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, me mjetin tip “Ford” me targa AA 296 IK, me drejtues shtetasin Genti Muceku. Nisur nga dyshimet e shfaqura se në këtë mjet mund të ishte fshehur lëndë narkotike shërbimet e Policisë Kufitare, kanë bërë përzgjedhjen e tij, për kontroll më të detajuar në vijën e dytë. Në këtë moment drejtuesi Genti Muceku, është larguar me shpejtësi me mjetin të cilin ky shtetas e kishte marrë në përdorim, duke kundërshtuar dhe mos iu bindur urdhërit të punonjësve të Policisë. Forcat policore janë angazhuar dhe janë vënë në ndjekje të tij. Përgjatë aksit rrugor Qafë Thanë-Prenjas-Urakë, ku mendohej se këta shtetas mund të kishin lëvizur u gjet edhe mjeti i braktisur prej tyre”.

Gjithashtu gjatë kontrolleve të shumta që Policia ushtroi, në pjesë të ndryshme të këtij aksi, u gjetën e bllokuan në cilësinë e provës materiale 6 pako me lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa  me peshë 6,3 Kg sasi e cila dyshohet të ketë qenë në posedimin e dy shtetasve të mësipërm.

Materialet i kaluan Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Trafikimi i narkotikëve, kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 236 e 283/a/2 të Kodit Penal.