I ftuar në emisionin “Xing me Ermalin”, kampioni i botës në Kick Box, Ismail Keta rrëfeu sesi përgjatë karrierës së tij si sportist, nuk ka pasur mbështetje nga familja e tij.

“Të them të drejtën, kundërshtari kryesor është njeriu që ti ke përzemër, si familja. Ne nuk e kemi pasur sportin e boksit në kulturë dhe duke qenë të dhembshur, prindërit i kam pasur kundër. Nëna ime, edhe kur fitojmë, nuk i sheh ndeshjet, se thotë: ‘Nënë ka dhe ai!’.

Babi ka qenë vetëm dy herë në ndeshjet e mia dhe ka ardhur vetëm sepse e kishin ftuar disa njerëz me rëndësi dhe nuk donte të shfaqte këtë anë të dobët.I kam pasur gjithmonë kundra por ky kundërshtim, më ka bërë të jem më kërkues dhe më i vëmendshëm që të arrij qëllimet dhe të mos zhgënjej njeri.”- u shpreh Keta në studion e emisionit.

Një komentuese e pyeti sportistin sesi ndihej kur rrihte një serb dhe Keta gjeti rastin për të treguar një histori dramatike. Fillimisht, ai tregoi se nuk e simpatizonte aspak popullin serb për shkak të masakrave që kishin bërë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Dibër, dekada më parë. Ai madje rrëfeu se në luftën e Kosovës kishte dashur të shkonte ushtar, por i ati e kishte ndaluar duke e nxitur të vijonte punën në Gjermani, ku Ismaili jetonte asokohe.

“Unë që jam këtu dhe nuk them dot se e simpatizoj atë komb, kam historinë më të freskët në vitin 2014, kur pata një hemorragji cerebrale. Kam qenë 10 orë i paralizuar në krahun e majtë dhe unë që sot jetoj dhe jam shumë i lumtur se kam dy fëmijë, jetën e kam prej një serbi. E kisha mësuar 3 javë më parë që ai ishte serb dhe e kisha distancuar.”-rrëfeu Ismail Keta.