Në fillim tingëllon çuditshëm, një ëmbëlsirë që si bazë kryesore ka mishin dhe orizin, por të jeni të sigurtë se  nëse e provoni një herë, do ta kërkoni gjithmonë. Por si bëhet kjo ëmbëlsirë e çuditëshme.
“Së pari e fërgojmë orizin me gjalpë, mishin e kemi zier pa sheqer, e bëjmë copa –copa dhe e fërgojmë gjithashtu me gjalpë. Orizi duhet të fërgohet pak më tepër  se pilafi deri sa ta marrë temperaturën e duhur. Shumë vetë i kam dëgjuar nga Kosova kur e shikojnë se ka oriz dhe mish, sheqer  gjithashtu u vjen çudi, por mishi nuk dallohet asesi në orizin, pasiqë fërgohet shumë dhe  kur fërgohet bëhet si pe”, tha Safije Marku, Kuzhiniere.
E për të qenë një kabuni ashtu siç e do zakoni dibran, patjetër që asaj i shtohet kanellë dhe rrush i thatë, e fare në fund sheqeri dhe arrat.
“Ndonjëherë kur e përgatisë mishin e fus te orizi më herët ndonjëherë edhe më vonë, nuk ka aspak lidhje, fusim cimet, rrushin e thatë dhe e përvëlojmë me ujë”, shtoi zonja Marku.
Edhe pse tingëllon cuditshëm, pa kabuni, nuk mund të paramendohen as dasmat e as festat e dibranëve e që mund të jetë një opsion i tryezës suaj festive për këtë fundvit. Kabunia është një pjatë tradicionale që I ka mbijetuar kohës e vazhdon të jetë mbretëresha e tryezës për raste të veçanta festive. Përbërësit e saj nuk anë ndryshuar ndër vite. Kabunia edhe sot bëhet njësoj siç e kanë hedhur në tefterët e tyre të kuzhinës, dibranët e vjetër, sepse gjërat e mira, asnjëherë nuk duhen ndryshuar.