Nga Arben LLALLA

Disa vite më parë kemi thënë në mediat e shkruara dhe në TV që do të ishte më e pranueshme që Republika e Maqedonisë të quhet, Republika e Maqedonisë së Re se sa emër tjetër që do të kishte pasoja në të ardhmen. Ne jemi kundërshtar të emrave me kuptimësi gjeografike si p.sh. Republika e Maqedonisë së Veriut sepse me të tillë emër lihet hapësirë për një luftë në të ardhme midis Greqisë dhe Maqedonisë.

Në qoftë se do të quhet Maqedonia e sotme, Republika e Maqedonisë së Veriut atëherë nëpër librat shkollorë të Greqisë do të ngrihet një propagandë ku mund të thuhet se: sllavët, shqiptarët dhe të tjerët kanë shkëputur vite më parë Maqedoninë e Veriut të Greqisë, prandaj duhet të luftojmë për ta rimarrë atë pjesë që i për ketë Greqisë. Një shembull të tillë të kësaj propagande Greqia prej më shumë se 100 vitesh ua afron grekëve në lidhje me Vorio Epirin(Veriu i Epirit) që është Shqipëria e Jugut. Nëpër libra, media, tv në Greqi propagandohet se shqiptarët kanë aneksuar vite më parë Veriun e Epirit dhe grekët duhet të luftojnë për ta rimarrë motrën e vogël “Vorio epirin”(grekët Jugun e Shqipërisë e quajnë motër të vogël).

Një formulë përafërsisht të tillë do të kemi edhe për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Të mos harrojmë se për më shumë se 100 vite në Selanik funksionon Ministria e Maqedonisë së Veriut. Nga ana tjetër nëpër librat në Maqedoni do mund të propagandohet se: në Greqi ndodhet Maqedonia e Jugut që grekët e kanë marrë atë me luftë. Maqedonia e Jugut banohet ende nga vëllezërit tanë maqedonas të Egjeut në qytetet e Follorinës, Edesës, Kilkisit, Kastroias, Selaniku etj. Pra, emri Republika e Maqedonisë së Veriut do të lejon hapësirë grupeve nacionaliste nga të dy palët për nxitje lufte frontale në të ardhmen. Do të ringjallen grupet fashiste.

Por çdo njeri mund ti bëj pyetje diplomatëve të huaj që ofrojnë si zgjidhje emrin Republika e Maqedonisë së Veriut: Ku ndodhet Maqedonia e Jugut? Kush janë këta maqedonasit e jugut? Maqedonasit e jugut flasin të njëjtën gjuhë që flasin maqedonasit e veriut? A kanë të njëjtën histori, tradita dhe zakone? Botërisht dihet që koreanët e jugut dhe të veriut janë i njëjti popull, me të njëjtën gjuhë e histori, por janë ndarë politikisht në dy shtete.

Dhe bota punon dhe lufton për ti bashkuar në të ardhmen. Po ashtu lufta në Vietnam filloj sepse vietnamezët e veriut ishin të majtë që luftonin për bashkimin e Vietnamit të jugut që ishte nën ndikimin amerikan, por janë i njëjti popull me të njëjtë histori dhe gjuhë. Lufta përfundoj me bashkimin e Vietnamit në një shtet. Kemi dhe Irlandën e ndarë pa të drejtë në Irlandë të Veriut. Por është i njëjti popull me të njëjtë gjuhë dhe histori. Irlandezët luftojnë ende në mënyra të ndryshme që të bashkohet Irlanda në një shtet.

Pra, në përfundim emri Republika e Maqedonisë së Veriut prodhon luftë në të ardhmen midis Greqisë dhe Maqedonisë për aneksim territoresh. Ky emër është në kundërshtim historik dhe prek interesat e disa popujve si të shqiptarëve, sllavo-maqedonasve, bullgarëve, grekëve, serbëve etj.