Rezoluta për Jeruzalemin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së është në përputhje me qëndrimin e deritashëm të OKB-së, thotë politologu i Heidelbergut, Johannes Becke. Këtë nuk mund ta ndryshojë qeveria Trump.

Johannes Becke është profesor për Studime Izraelite dhe të Lindjes së Afërme në Shkollën e Lartë për Studime Hebreje në Heidelberg.

DW: Shumica e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së u shpreh kundër vendimit të Presidentit të SHBA, Donald Trump për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Si e shihni këtë hap?

Becke: Mua nuk më habit ky vendim. Sepse në bashkësinë ndërkombëtare është bërë zakon prej dekadash një model: në bazë të vendimit të ndarjes së OKB-së insistohet që çështja e Jeruzalemit të mos vendoset nga bashkësia ndërkombëtare për aq kohë sa të mos kenë rënë dakord të dyja palët.  Unë nuk mendoj që një vendim i njëanshëm i SHBA për ta njohur Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit do të ndryshojë gjë në këtë drejtim. Veç kësaj, sjellja në votim në OKB nuk ka ndryshuar prej dekadash. Ekziston një koalicion relativisht i gjerë kundër Izraelit me rezultate deri tani shumë të njëanshme. Prandaj vendimi të habit pak.

A ka rëndësi politike vendimi i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së apo është me tepër akt simbolik?

Në dallim nga lëvizje të tjera nacionale, të cilat kanë luftuar në dekadat e shkuara për shtetin e vet, palestinezët kanë gëzuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së çuditërisht simpati të mëdha. Shikoni konflikte të tjera, për shembull në Saharanë Perëndimore: atje ka qenë gjithmonë shumë më e vështirë që të sigurohen shumica kundër pushtimit maroken. Palestinezët kanë pasur gjithmonë fatin që në mbështetje të tyre qëndronte bota arabo-islamike dhe më parë edhe lëvizja e Të Painkuadruarve. Në këtë kuadër, Asambleja e Përgjithshme ka një traditë të gjatë të pozicionimit të njëanshëm.

Do të thotë se kjo do të vazhdojë pa pasoja konkrete?

Nuk duhet harruar se pas përpjekjes për ta përjashtuar çështjen e Jeruzalemit nga njohja ndërkombëtare e Izraelit qendron mendimi për ta ndarë territorin në një shtet hebre dhe në një shtet arab – dhe të gjithë, vëzhgues arabë dhe hebrej besojnë se ky hap do të vijë një ditë. Shumë nga ajo që ndodh përreth Jeruzalemit është para së gjithash inskenim dhe politikë simbolike. Të gjithë e dinë se Jeruzalemi është faktikisht kryeqyteti i Izraelit, dhe megjithatë duhet bërë sikur juridikisht kjo nuk është e vërtetë.

Iniciativa e Jeruzalemit e Presidentit të SHBA Donald Trump politikisht tërhoqi shumë vëmendjen. Ai ishte politikisht e mençur kjo lëvizje?

Ky vendim nuk është i dobishëm për asnjërën nga palët e përfshira. Netanjahu dhe Trumpi mund t’ua shesin vendimin mbështetësve të tyre përkatës si sukses simbolik. Për afrimin që po ndodh pas perdeve midis Izraelit dhe shumë shteteve arabe, një vendim i tillë është më tepër i dëmshëm. Pikërisht përballë kërkesave hegjemoniste në rritje të Iranit në rajon, Izraeli ka kontakte shumë të ngushta jo vetëm me fqinjët me një marrëveshje paqeje – për shembull me Egjiptin ose Jordaninë – por edhe me fqinjët pa marrëveshje paqeje, si p.sh. Arabia Saudite. Që në një situatë të tillë të shtrosh në tryezë çështjen e vjetër dhe të vështirë të Jeruzalemit tregon se sa pak kupton administrata e tanishme amerikane nga ato që ndodhin në rajon.

Bisedën e zhvilloi Kersten Knipp.